Hamza: Në qeverisjen time, asistenca për familjet që janë pjesë e skemave sociale do të rritet për 50 për qind
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka bërë me dije se në qeverinë e tij asistenca për familjet që janë pjesë e skemave sociale do të rritet për 50 për qind.
Ai ka treguar edhe hapet tjerë që do të ndërmarr në këtë drejtim.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka shkruar se me program të veçantë, me trajnime dhe subvencione të punësimit, do t'i inkurajojë dhe mbështet përfituesit e skemave sociale që të integrohen në tregun e punës.
“Një vizitë me miqtë nga "Qatar Charity" në fshatin Frashër, ku së bashku kemi ndërtuar kompleks social me 40 shtëpi për familjet mitrovicase, shkollë moderne, Qendër të Mjekësisë Familjare dhe objekte të tjera përcjellëse. Në qeverinë time, asistenca për familjet që janë pjesë e skemave sociale do të rritet për 50 për qind. Me program të veçantë, me trajnime dhe subvencione të punësimit, ne do t'i inkurajojmë dhe mbështetesim përfituesit e skemave sociale që të integrohen në tregun e punës. #MaMirë për të gjithë!”, ka shkruar Hamza.