Hamza, Abdixhiku e Haradinaj i shkojnë Osmanit në takim për Bordin e Paqes: Albin, Kur-ti?
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka ftuar në takim liderët e partive politike, për ti informuar drejtpërdrejt në lidhje me nismën e Presidentit të ShBA-së Donald Trump, ku në Davos të Zvicrrës edhe Kosova e vuri nënshkrimin e vet, me Presidenten Vjosa Osmani. Gazeta Nacionale merr vesh nga burimet brenda zhvillimeve se këtë të hënë në zyrën e Presidentes ka qëndruar Bedri Hamza i PDK-së, ndërkohë që Abdixhiku i LDK-së e Haradinaj i AAK-së kanë publikuar fotografi nga takimi i sotëm. Ajo që ende nuk dihet është se a do të shkoj edhe Kurti në takim me Presidenten Osmani, për tu informuar në lidhje me raportin më të ri të kontraktuar ndërmjet Kosovës e ShBA-së. Ajo që dihet deri tash është se Kurti nuk e ka përshëndetur me asnjë shkornjë këtë nismë dhe se eksponent të tjerë të Vetëvendosjes nuk kanë marrë fare qëndrim. Pikërisht ky zhvillim u pa edhe si ‘mollë sherri’ ndërmjet Kurtit e Osmanit nga gazeta gjermane FAZ, ditë më parë.
Çka tha Abdixhiku?
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka publikuar fotografi nga takimi i tij me Presidenten Vjosa Osmani, ku të dy shfaqen në disponim pranë njëri-tjetrit. Abdixhiku tha se nga Presidentja u informua në lidhje me nismën e Presidentit të ShBA-së Donald Trump, për Bordin e Paqës, aty ku nënshkroi, Vjosa Osmani.
E plotë:
Me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani, sot gjatë ditës u takova me të për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për Kosovën.
Në këtë takim u informova për iniciativën e Presidentit Donald Trump për themelimin e Bordit të Paqes; një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, dhe që e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
I shpreha Presidentes Osmanit mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë iniciativë. Forcimi i paqes, i aleancave, në veçanti me SHBA-të, dhe i rolit ndërkombëtar të Kosovës duhet të jetë përparësia jonë.
LDK mbetet e përkushtuar ndaj orientimit euroatlantik dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë.
Çka tha Haradinaj?
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se, me ftesë të Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një diskutim lidhur me Bordin e Paqes dhe zhvillimet politike në vend dhe në rajon.
Haradinaj ka shprehur vlerësimin për pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, duke theksuar rëndësinë e veçantë që ka çdo partneritet me SHBA-në për Kosovën.
Ai ka shtuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përkrah pa asnjë hezitim këtë angazhim, duke e cilësuar bashkëpunimin me SHBA-në si jetik për interesat shtetërore të Kosovës.