Hamiti: Për faj të qeverisjes së VV-së Kosova po vuan sanksione, më shumë se gjysmë miliardë euro humbje - NACIONALE

Hamiti: Për faj të qeverisjes së VV-së Kosova po vuan sanksione, më shumë se gjysmë miliardë euro humbje

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka përmendur se gjatë mandatit, Qeveria Kurti nuk solli asnjë njohje për vendin, si dhe dështuan në anëtarësimin në KiE.

Hamiti përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se për faj të Qeverisë së VV-së, Kosova po vuan sankionet që kanë shkaktuar më shumë se gjysmë milliard euro humbje deri tani.

“Asnjë njohje ndërkombëtare nuk ia sollën Kosovës. Asnjë anëtarësim relevant ndërkombëtar. Dështuan keq në përpjekjen për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Për fajin e kësaj Qeverie të Vetëvendosjes, Kosova po i vuan sanksionet e BE-së prej vitit 2023. Humbje qindra milionëshe, më shumë se gjysmë miliardi euro deri tani. Reputacioni ndërkombëtar i Kosovës, si vend i sanksionuar ndërkombëtarisht, më i keqi ndonjëherë. Jemi më larg integrimeve euro-atlantike sesa që kemi qenë para 4 vitesh.

Marrëdhëniet e kësaj Qeverie me të dyja administratat amerikane, demokrate dhe republikane, në pikën më të ulët që i ka pasur Kosova ndonjëherë me SHBA-të, aleatin jetik të Republikës së Kosovës” – ka shkruar ai.

Tutje, Hamiti ka thënë se edhe Departamenti i Shtetit kishte përmendur se ka “korrupsion të rëndë qeveritar”.

“Korrupsioni masiv qeveritar, që po del në pah ditë për ditë, po e nxjerr fytyrën e vërtetetë të kësaj Qeverie para qytetarëve të vendit, si atyre që e kanë votuar, si atyre që nuk e kanë votuar. Të gjithë po i vuajmë pasojat e saj.

Qeveria e majtë e Albin Kurtit i ka sjellë dëme të pamatshme Kosovës në këto katër vjet. Kosova s’mund ta përballojë një qeveri të tillë më. Do ta rrezikonte shtetin e Kosovës” – ka thënë ai.

Në fund, Hamiti ka thënë se qytetarët të dielën mund të zgjedhin për një qeveri të drejtuar nga LDK-ja.

“Qytetarët tanë e kanë në dorë fatin e vet dhe të shtetit të vet. Të dielën mund të zgjedhin një Qeveri të djathtë, të drejtuar nga LDK-ja, për ta kthyer vendin në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit euro-atlantik”.

Lajme të ngjashme