Hamiti i reagon ministrit Aliu: Rugova e konsideronte Republikën e Kosovës si zgjidhje të përhershme - NACIONALE

Hamiti i reagon ministrit Aliu: Rugova e konsideronte Republikën e Kosovës si zgjidhje të përhershme

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, i ka reaguar ministrit të Infrastrukturës, Luburn Aliu, i cili mbrëmë ka përdorur një deklaratë të ish-presidentit Ibrahim Rugova për të sqaruar qëndrimin e tij se “Kosova është shtet i përkohshëm”.

Hamiti ka vlerësuar se projekti i Rugovës ka qenë që Republika e Kosovës të jetë shtet i pavarur, demokratik dhe sovran.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se Rugova e ka parë Kosovën si projekt të përhershëm, jo të përkohshëm.

“Republika e Kosovës shtet demokratik, i pavarur dhe sovran, ka qenë projekti që e ka synuar dhe për të cilin ka punuar Presidenti Ibrahim Rugova, si zgjidhje të përhershme, jo të përkohshme, për vendin tonë. Vizioni i Rugovës për Kosovën shtet demokratik, të pavarur dhe sovran, të integruar në BE dhe në NATO, të anëtarësuar në OKB, me miqësi të përhershme me SHBA-të, është trashëgimia e Presidentit historik, e Atit Themeltar të shtetit tonë”, ka shkruar Hamiti.

Ai e ka sqaruar deklaratën e Rugovës, të cilës i është referuar ministri Aliu.

“Ibrahim Rugova e quante pavarësinë e Kosovës zgjidhje optimale (kompromisi) sepse e shihte si zgjidhje pragmatike në kohën kur në bashkësinë ndërkombëtare flitej për zgjidhje kompromisi që ishin më pak se pavarësia. Madje kërkesa për pavarësi të Kosovës, që Rugova e shihte si zgjidhje optimale, shihej prej shumëkujt në atë kohë si kërkesë maksimaliste e Presidentit Rugova dhe e spektrit politik që e përbënte lëvizjen për pavarësi të Kosovës, të cilës i priu ai me përkushtim, pa u lëkundur asnjëherë, për të cilën luftoi edhe me armë populli i Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Zyrtari i LDK-së ka bërë me dije ata që e cilësojnë Kosovën si shtet të përkohshëm e dëmtojnë perspektiven e Republikës së Kosovës.

“Kushdo që e sheh Kosovën shtet të përkohshëm e dëmton perspektivën e shtetit të Kosovës, njohjen e tij të mëtjeshme ndërkombëtare, anëtarësimin e plotë të Kosovës në sistemin ndërkombëtar. Po kështu, propaganduesit e bashkimit kombëtar, që e bënë bashkimin kauzë elektorale për të ardhur në pushtet në Kosovë, ndërsa tash e përmendin rrallë e tek, mbasi e morën vesh kur e morën pushtetin më 2021 se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e lejon. Kushtetutën e kemi prej vitit 2008”, është shprehur Hamiti.

Lajme të ngjashme