Gruaja e parë shqiptare që foli në Kongresin Amerikan - Fjalimi rrëqethës i Luljeta Pula-Beqirit më 1990 - NACIONALE

Gruaja e parë shqiptare që foli në Kongresin Amerikan - Fjalimi rrëqethës i Luljeta Pula-Beqirit më 1990

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Këtë javë u publikua Intervista e Buzhalës, e para nën formatin unik të bashkëpunimit mes Nacionales dhe Radio Televizionit 21.

E ftuara e parë në formatin respektiv ishte Luljeta Pula-Beqiri. Për gjeneratat më të vjetra është emër që thotë shumë.

Pula-Beqiri ka qenë profesoreshë në fakultetin xehetaro-metalurgjik, pararendës i atij të shkencave që është edhe sot e kësaj dite.

"Në vitin 1981 kam qenë profesoreshë në fakultetin xehetaro-metalurgjik është quajtur atëherë, tash fakulteti i gjeo-shkencave dhe teknologjisë. Unë jam Prof.Dr i Teknologjisë Kimike, Inxhiniere e Teknologjisë Kimike. Profesoreshë e rregullt, pra ordinare e fakultetit të gjeo-shkencave dhe teknologjisë. Atëherë nuk ka qenë aspak e lehtë pjesëmarrja në ato demonstrata të vitit 1981, sepse unë kam marrë pjesë si profesoreshë dhe ajo nuk ka mundur të kalojë pa u vërejtur", kishte deklaruar ajo.

Kujtojmë faktin se ajo humbi edhe një fëmijë në muajin e shtatë të shtatëzënisë, si shkak i gazit lotsjellës në demonstrata.

Ndërkaq, në pjesën e zgjeruar këtu flitet për paraqitjen e saj bravoroze e impresive në Kongresin Amerikan, madje pikërisht në vitin 1990, kur gjërat në ish-Jugosllavi veçse kishin filluar të përkeqësoheshin.

Në një kohë të atillë, të bësh paraqitje po të atillë, duhej guxim e përtej guximi. Prandaj, Pula-Beqiri mbetet nga figurat më kontributdhënëse nga gratë kosovare dhe jo vetëm.

Fillimisht Buzhala riktheu në skenë paraqitjen e saj në Kongres, duke thënë se ishte 15-vjeçar ku Pula-Beqiri kishte lënë pa fjalë të pranishmit.

"Unë e mbaj mend. Kushdo që i ka pasë mbi 15 vjet në atë kohë, e mban mend pjesëmarrjen tënde në Kongresin Amerikan. Fjalimi që e ke mbajtë aty, impresiv gjithashtu", tha autori.

Më pas u lëshuan sekuenca të paraqitjes së Pula-Beqirit, ku ajo ndër të tjerash kishte treguar se përfaqësonte gratë e Kosovës, që atëbotë radhiteshin si pjesë e shoqatës që funksiononte në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

"Prezantoj gratë e Kosovës të përfaqësuara nga shoqata e cila funksion në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe që tani për tani numëron mbi 80 mijë anëtarë. Kjo shifër impozante që çdo ditë rritet, jashtë çdo parashikimi, dëshmon më së miri për faktin, se represioni që ushtrohet mbi popullsinë e pafajshme shqiptare në Kosovë, ka arritur atë shkallë alarmante, saqë të aktivizojë e mobilizojë një shtresë natyralisht politikisht imobile siç janë gratë dhe ato gratë e të gjitha kategorive", pohonte fillimisht ajo.

Tutje, duke shtuar se fliste në emër të nënave kosovare, ajo vlerësoi si parësor angazhimin kundër zgjidhjes për Kosovën me dhunë e represion, e duke cekur më pas se sipas tyre zgjidhja e përhershme e problemit të Kosovës mund të arrihet me dialog.

"Pra, flas në emër të nënave kosovare, angazhohemi kundër zgjidhjes për Kosovën me dhunë e represion dhe mendojmë se zgjidhja permanente e problemit të Kosovës, mund të arrihet me dialog, me alternativa. Jemi për demokraci parlamentare, për zgjedhje të lira, sistem shumëpartiak, për pranimin e subjektivitetit politik të popullit shqiptar, për barazi me të gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë dhe për pranimin e subjektivitetit politiko-juridik të Kosovës i cili do duhet të sanksionohet me shprehjen e lirë të vullnetit të popullit të Kosovës".

Siç edhe mund ta shihni në pjesën e epërme të tekstit është episodi i plotë, kurse nga minuta: 56:30 gjeni paraqitjen e Luljeta Pula-Beqirit në Kongresin Amerikan, tash e tri dekada më parë.

Nga e hëna që lamë pas, e çdo të hënë tjetër në RTV21 prej orës 21:30, do të mund ta ndiqni emisionin "Intervista e Buzhalës", prodhim i Gazetës Nacionale.

Lajme të ngjashme