“Grafiku flet vetë”, LDK-ja identifikon dështimet e qeverisë që e çuan BPV-në në rrjedhë negative
Kryeministri Kurti dhe përfaqësuesit tjerë të qeverisë vazhdimisht kanë qenë të kujdesshëm për shpërndarjen e statistikave të ndryshme, duke i krahasuar me periudhat e qeverisjeve të mëparshme në Kosovë. Përvoja e tyre në përpjekjen për të krijuar një imazh pozitiv të qeverisë së tyre, në ndryshim nga qeveritë e mëparshme, shpesh është sfiduar nga opozita. Së fundi, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka kujtuar qeverisë Kurti një statistikë aspak pozitive të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës lidhur me rritjen reale të Bruto Produktit Vendor (BPV) krahasuar me vitet e kaluara.
Në grafikun e ASK-së që paraqet trendin e Bruto Produktit Vendor (BPV) gjatë viteve, është e dukshme që pas tremujorit të dytë të vitit 2022, ku rritja reale ishte 16.32 për qind, kursi i rritjes reale ka filluar një rrjedhë tejet negative. Kështu, në tremujorin e dytë të vitit 2023, BPV ka regjistruar një rënie të ndjeshme, duke zbritur në 2.02.

Në kontekst të trendit negativ të rritjes reale të BPV-së, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka bërë akuza të rënda ndaj pushtetit për rënien e drastikë të rritjes ekonomike.
Në reagimin e saj në Facebook, Bajrami kujtoi se qeveria Kurti II u votua në detyrë më 22 mars 2021, rritja ekonomike në Kosovë ishte mbi 16 për qind. Megjithatë, ajo theksoi se aktualisht, rritja ekonomike është vetëm 2.02 për qind.
"Me 22 mars të vitit 2021, është votuar Qeveria Kurti II. Në atë kohë rritja ekonomike në vend ka qënë mbi 16%, sot rritja ekonomike në vend është vetëm 2.02%." - ka thënë Bajrami.
Deputetja e LDK-së argumentoi se kjo situatë është rezultat i mungesës së politikave efektive dhe identifikoi 12 faktorë pengues në këtë drejtim.
Reagim pati edhe nga anëtari i LDK-së, Berat Rukiqi. Lidhur me statistikën e ASK-së për rritjen ekonomike, ai ka thënë se duke përjashtuar pandeminë, tremujori i dytë i vitit 2023 është në trendin më negativ ndonjëherë.
Edhe Rukiqi ka identifikuar një sërë problemesh që sipas tij kanë çuar në dështim të politikave ekonomike.