Gjysmë ore konferencë për t'ia shembur tregimin vetes: Prej 'e hoqëm Serbinë' te 'na ndërhynë në zgjedhje' - NACIONALE

Gjysmë ore konferencë për t'ia shembur tregimin vetes: Prej 'e hoqëm Serbinë' te 'na ndërhynë në zgjedhje'

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjysmë ore konferencë për shtyp për të shembur tregimin e vet grandioz të sovranitetit dhe integrimit të serbëve.

Kështu i mçoi këtë të diele, Albin Kurtit kur thirri konferencë për shtyp për të konstatuar truizma – të vërteta që nuk dihet kush nuk i di – se Serbia i ndihmoi Listës Serbe në zgjedhje në Kosovë; kjo në detriment të partive tjera politike rivale si ajo e Nenad Rashiqit dhe Aleksandar Arsenijeviqit.

Kurti tha se “ka prova” që Serbia ndërhyri në zgjedhe, dhe këtë e kreu përmes kryeterroristit, Milan Radojçiq – ky i fundit me urdhëresë të Aleksandar Vuçiqit.

Serbët votuan qysh votuan sepse Radojçiqi, tha Kurti.

Kjo si një kundër-tregim i tregimit të madh të vetes se gjatë qeverisjes së tij ia kanë hequr tentakulat e ndikimit, institucional, financiar e kriminal Serbisë në Kosovë.

E si pasojë e shtrirjes së sovranitetit – ishte tregimi i Kurtit i madh, tregim me të cilin garoi edhe në zgjedhje – serbët tashmë po integroheshin si asnjëherë më parë.

Heqja e Radojçiqit nga vendi, sipas lajtmovitit qeveritar, i kishte çliruar edhe serbët nga shantazhet e kërcënimet: gjë që po përkthehej në integrimit e tyre çdo ditë e më të madh.

Për më tepër, prania e shtetit aty ishte garanca e parandalimit të saktësisht të kundërtës.

Por...antitezën e këtij tregimi e dha hiç më larg se sot.

Janë identifikuar shtatë instanca apo aktorë shtetërorë, i pari presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq, i dyti kryeterroristi Millan Radoiçiq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverisë e Serbisë Petar Petkoviq, Agjencia Serbe e Inteligjencës (BIA), mediat serbe të kontrolluara nga pushteti, Lista Serbe dhe strukturat e jashtëligjshme serbe”.

Kështu tha Albin Kurti në konferencë të përbashkët për media me Nenad Rashiq.

“Vetë presidenti i Serbisë ka nxitur çdo aktor shtetëror dhe joshtetëror serb të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës. Për këtë qëllim rol ekzekutiv ka pasur kryeterroristi Millan Radoiciq, apo njeriu i cili ka marrë detyrat për Kosovën nga presidenti i Serbisë”, tha Kurti.

Nisi të tregojë për “të paktën dhjetë metoda” se si Serbia dhe akterë të saj kanë ndikuar dhe realizuar ndërhyrjen e tyre: joshje financiare, kërcënim i humbjes së përfitimeve financiare, shantazh e presion etj.

Kjo krejt në kontradistinksion me mantrën e proklamuar se tash po ndodh përnjëmend integrimi dhe çlirimi i serbëve në veri nga bandat.

Hiç më larg se para disa muajve, Kurti në A2CNN shprehej se “integrimi i serbëve tashmë është në rrugë të mbarë” dhe ndikimi i Serbisë “ka rënë”.

“Serbia nuk po mund t’i dirigjojë si dikur”, shprehej ai.

“Edhe personat të cilët e bënin të dhunshëm urdhrin e Beogradit në masë të konsiderueshme o janë në burg, o kanë ikur nga Kosova”, shtoi.

Prandaj “edhe ka rënë fuqia e Serbisë mbi serbët e Kosovës”.

Lajme të ngjashme