Gërvalla nervozohet me pyetjen e Nacionales për gazin amerikan: Përgjigjet e zyrtarëve të VV-së pas thirrjes së SHBA-së - NACIONALE

Gërvalla nervozohet me pyetjen e Nacionales për gazin amerikan: Përgjigjet e zyrtarëve të VV-së pas thirrjes së SHBA-së

2 javë më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të enjten i bënë thirrje Kosovës që t’i bashkohet projektit amerikan për gazin natyror në Ballkan, një kërkesë së cilës i është përgjigjur pozitivisht opozita, por jo edhe Qeveria në detyrë.

Gazetarja e Nacionales, Eriola Cacaj, ka pyetur kandidatët për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me opinionin e publikuar nga shefja e Ambasadës Amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.

Disa prej tyre deklaruan se nuk e kishin parë deklarimin e saj.

“Jam kanë nxanë, nuk kam pa”, ka thënë Fatos Geci.

Me pyetjen e gazetares u nervozua ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila iu drejtua asaj me fjalët: “Po më irriton kjo pyetje e juaj”.

“Nuk ka asnjë dyshim që Kosova është e rreshtuar kah bota perëndimore, SHBA-të. Vetëm kjo pyetja e juaj po më irriton. E kemi dëshmuar me vepra e jo me fjalë, kështu që faleminderit që po na përcillni”, tha Donika Gërvalla.

Ndërkaq, Mefail Bajqinovci u shpreh:

“Jo, për besë nuk kam dëgjuar asgjë, sepse prej mëngjesit ne deputetët jemi në terren. Mund të komentojmë kur ta kryejmë këtë, nuk mundem me dhanë ndonjë opinion pa e lexuar e pa e parë”.

Ndryshe, në një opinion kushtuar sigurisë energjetike, Prattipati konstatoi se vendi po përballet me varësi në rritje nga importi i energjisë elektrike.

Sipas saj, Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat gjithnjë e më të larta për furnizim me energji.

Prattipati thekson se, bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, vendi ka shpenzuar 735 milionë euro për import të energjisë gjatë katër viteve të fundit.

Ajo vëren se kostoja e importeve është rritur ndjeshëm, nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.

“Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj”, shkruan Prattipati.

Diplomatja amerikane argumenton se një zgjidhje afatgjatë do të ishte përfshirja e Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror të lëngshëm amerikan.

Sipas saj, “gazi natyror i lëngshëm amerikan do të mundësonte shtimin e llojllojshmërisë në furnizimin me energji” dhe do ta forconte partneritetin ekonomik mes Kosovës dhe SHBA-së.

Ajo e lidhi sigurinë energjetike drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare.

“Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare”, thekson Prattipati.

Opinionin e plotë mund ta lexoni këtu: U.D. ambasadorja amerikane me thirrje publike që Kosova të lidhet me projektet amerikane të gazit për siguri energjetike.

Lajme të ngjashme