Ironizon Gashi: Nuk do të ishte keq që Specialja t’i lirojë të akuzuarit, të marrë Kurtin
Analisti Shkëlzen Gashi, ka komentuar fjalët hyrëse të mbrojtjës së ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën e parë në Gjykatën Speciale në Hagë.
Me anë të një postimi në Facebook, Gashi ka thënë se mbrojtja e ish-presidentit Thaçi, e mohoi se klienti i tyre ka qenë në strukturat drejtuese të UÇK-së.
Ai gjithashtu, tha se akuzat që Gjykata Speciale ia ngarkon Hashim Thaçit, mbrojtja e ish-presidentit ia hodhi përgjegjësinë Zyrës së UÇK-së në Prishtinë dhe shefit të saj Adem Demaçi.
“Mbrojta e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, gati veçse e mohoi që klienti i tyre ka qenë në strukturat drejtuese të UÇK-së, e madje e mohoi edhe ekzistencën e këtyre strukturave. Për më keq, për akuzat që Gjykata Speciale po ia ngarkon Hashim Thaçit, mbrojtja e hodhi përgjegjësinë te Zyra e UÇK-së në Prishtinë dhe te shefi i saj Adem Demaçi”, ka thënë Gashi.
Tutje, Gashi ka shkruar se Specialja do duhej ta marrë kryeministrin Kurti, meqë Zyres së tij iu hodh gjithë përgjegjësia e drejtimit të luftës së UÇK-së.
‘Albin Kurtit për 20 vjet ia keni mohuar përkatësinë në UÇK, e sot po tentoni që Zyrës së UÇK-së ku bënte pjesë edhe Albin Kurti, me ia hedhë krejt përgjegjësinë”, shkroi ai.
Analisti i afërt me Qeverinë, ka shpërdarë fjalimin e Albin Kurtit në Pozharevc, duke thënë se se shefi i ekzekutivit kosovar do ta mbronte UÇK edhe njëherë në mënyrë dinjitoze.
“Meqenëse Shefi i Zyrës së UÇK-së në Prishtinë, Adem Demaçi, ka ndërruar jetë qe pesë vite, ndoshta nuk do të ishte keq që Gjykata Speciale t’i lirojë të akuzuarit e ta marrë Albin Kurtin.Të paktën, Albin Kurti do ta mbronte UÇK-në në Hagë në mënyrë dinjitoze, ashtu siç e pat mbrojtë në Pozharevc”, shkroi Gashi.
Fjalët e avokatëve mbrojtës të presidentit Thaçi duket se janë dredhuar në atë mënyrë që të ndërtojnë një narracion të tillë edhe nga përkrahësit e tjerë të kryeministrit Kurti.
“Thaçi ka qenë UÇK vetëm gjatë fushatave zgjedhore!” – tha aktivisti i shquar i VV-së, z. Enis Sulstarova.
Ndërkohë, edhe më i ashpër ishte aktivisti Rron Gjinovci.
“Dy rezultate janë të mundshme nga ky proces gjyqësor: 1. Disa përfundojnë në burg si përgjegjës për krime kundër njerëzimit ose për mosparandalimin e tyre; 2. Lirohen të pafajshëm dhe dëshmu që s’kanë pasë kurrfarë roli drejtues në luftë.” – tha aktivisti i shoqërisë civile dhe mbështetësi i kryeministrit Kurti, Rron Gjinovci.
