Gënjeshtra e Kurtit për "inflacion të importuar": Kosova me çmime dyfish më të larta se rajoni dhe eurozona
Për krizën e çmimeve që po rëndon mbi qytetarët brenda vendit, Kryeministri Albin Kurti alibinë e përsosur e gjeti te Ngushtica e Hormuzit, ndonëse vendi po përballët me rritje serioze të çmimeve që nga fillimi i 2025-ës. Përballë opozitës që e alarmonte për rritjen e papërballueshme të kostos së jetesës, shefi i ekzekutivit ia dha narrativës se rritja e pandalshme e çmimeve nuk është asgjë më shumë sesa thjesht “i importuar”.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, ku kundërshtoi çdo ndërhyrje në TVSh dhe heqjen e akcizës, Kurti e lidhi rritjen e çmimeve vetëm me bllokimin e anijeve me naftë, ndonëse bota po përballet me një krizë të tillë vetëm në javët e fundit.
“Inflacioni është përgjithësisht i importuar. Nuk është burimor. Nëse inflacioni do të ishte burimor, ne do të mbanim kryekëput përgjegjësinë, por inflacioni është i importuar dhe kjo ndodh për shkak se në Ngushticën e Hormuzit, anijet nuk janë me qymyr por janë me naftë. Po të ishin anijet me qymyr, unë do të kisha pranuar vërejtjet dhe kritikat.” – u shpreh Kurti ndër të tjera në atë seancë.
Por, pretendimi i kreut të qeverisë rrëzohet lehtësisht nga realiteti i shifrave. Që nga fillimi i vitit 2025, rritja e çmimeve në Kosovë është shkëputur ndjeshëm nga trendi i eurozonë dhe shteteve fqinje.
Madje, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, burimi i krizës së inflacionit fshihet pikërisht te "ngërçi politik njëvjeçar" me të cilin u përball vendi gjatë vitit 2025.
Norma e Inflacionit (2024 - 2026)
Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)
Për më tepër, që nga mesi i gjysmës së dytë të vitit të 2025, Kosova ka nisur të shkëputur ndjeshëm krahasuar me inflacionin e eurozonës dhe atë të vendeve të rajonit, dhe për këtë, Fondi Monetar Ndërkombetar ia atribuon krizën "ngërçit politik njëvjeçar”.
Sipas të dhënave të ASK-së, norma vjetore e inflacionit arriti në 6.0 për qind në shkurt të vitit 2026, duke shënuar një përshkallëzim të pandërprerë nga 5.8 për qind në janar dhe 4.7 për qind në shtatorin e vitit të kaluar.
Përgjatë këtij gjashtëmujori, kurba e inflacionit vjetor ka përjetuar vetëm ngjitje. Vetëm gjatë shkurtit, çmimet shënuan një rritje mujore prej 0.6 për qind, e cila vjen menjëherë pas një kërcimi të madh prej 1.2 për qind të regjistruar gjatë muajit janar.
Dallimi mes Kosovës dhe vendeve të rajonit është i thellë. Shqipëria raportoi inflacion 2.3 për qind në janar dhe 2.5 për qind në shkurt, sipas INSTAT-it. Mali i Zi raportoi 2.9 për qind në janar, ndërsa Serbia 2.4 për qind po ashtu në janar.
Dallimi me Bashkimin Europian është edhe më i theksuar. Sipas Eurostat, inflacioni vjetor i eurozonës ishte 1.7 për qind në janar 2026, ndërsa vlerësimi flash i shkurtit e vendos atë në 1.9 për qind.
Një nga shkaktarët e inflacionit, sipas ekonomistëve, ishte shtrenjtimi i energjisë elektrike.