Ftesat për takime të reja, opozita i thotë “JO” Kurtit: E presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese - NACIONALE

Ftesat për takime të reja, opozita i thotë “JO” Kurtit: E presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Partitë opozitare kanë refuzuar raundin e ri të takimeve me kryeministrin Albin Kurti.

Pas ftesave të Kurtit për takim, PDK-ja dhe LDK-ja kanë bërë me dije se tani duhet të pritet deri më 31 mars kur pritet të dal verdikti i Gjykatës Kushtetuese.

Duke e falënderuar për ftesën, Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se duhet të respektohet procesi institucional dhe të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë. Partia Demokratike e Kosovës beson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend”, është thënë në komunikatën e VV-së.

I shpejt në përgjigje ka qenë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka bërë me dije se me Kurtin mund të takohet vetëm pas publikimit të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.

Kam falënderuar Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje z. Kurti për ftesën për takim për çështjen e Presidentit. E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj. Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund. Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka shkruar ai.

Këto ftesa i ka komentuar edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Ai ka bërë me dije se kjo është një përpjekje për ta përmbysur narrativen e bllokadës që e ka krijuar vetë.

Ftesa e Kurtit për takime me opozitën është përpjekje për ta përmbysur narrativën e bllokadës që e ka krijuar vetë dhe njëkohësisht për të dërguar presion ndaj Gjykatës Kushtetuese. Në pamje të parë duket konstruktiv, por në fakt po përgatit terrenin që, nëse nuk ka epilog pozitiv sipas tij, fajin ta hedhë mbi opozitën dhe Gjykatën. Njëkohësisht Kurti po mundohet ta zhvendosë vëmendjen nga përplasja me Presidenten dhe ta çorientojë opozitën. Pa agjendë dhe parakushte të qarta nga opozita, ai mund ta përdorë edhe këtë proces për t’i ikur përgjegjësisë dhe për ta shtyrë vendin drejt zgjedhjeve sipas llogarisë së tij politike”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka paralajmëruar takime të reja me liderët e opozitës.

Ai ka treguar se këto takime i kishte planifikuar për fillimin e javës së ardhshme.

Së pari, unë kam zhvilluar tri takime me kryetarin e LDK-së e dy me kryetarin e PDK-së, në 48 orët e fundit para se të mbërrijmë te mesnata e 5 marsit nuk pati asnjë takim. Mendoj se kjo ka qenë dëm dhe gabim, është dashur të takohemi edhe në 48 orët e fundit. Vetëm kur u bë e pamundur figura konsensuale, vetëm kur PDK-ja kërkoi që t’ia sigurojmë votat për të dy kandidatët e saj pa na treguar emrat, ne nxorëm emrin e Glauk Konjufcës, sërish pritëm, u refuzua takimi me mua, e tri orë para mesnatës, e nxorëm emrin e Fatmire Mulhaxha Kollçaku. Me krerët e partive opozitare duhet të takohemi, qysh sot do t’iu dërgoj ftesa të takohemi në fillimin e javës së ardhshme”, ka thënë Kurti par gazetarëve.

Lajme të ngjashme