FAZ: A po luan Osmani “karta amerikane” në mënyrë të gabuar, për rizgjedhje në postin e Presidentes? - NACIONALE

FAZ: A po luan Osmani “karta amerikane” në mënyrë të gabuar, për rizgjedhje në postin e Presidentes?

1 javë më parë

nga NACIONALE

Në prag të përfundimit të mandatit presidencial në mars, Vjosa Osmani po përpiqet të sigurojë një mandat të dytë duke u afruar sa më shumë me administratën e Donald Trumpit. Sipas një analize të detajuar të gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), presidentja po përpiqet të paraqitet si “kandidatja e Trumpit” për të kompensuar mungesën e mbështetjes së gjerë në Kuvendin e Kosovës.

Në artikullin e botuar më 4 shkurt 2026 me titull “Its Osmani Trumps Kandidatin?", korrespondenti Michael Martens shkruan se Kosova mbetet “shteti më pro-amerikan në botë”, por llogaritja e Osmanit mund të mos funksionojë siç pritet, thekson FAZ, por shton se admirimi historik ndaj SHBA-ve (sidomos nga koha e luftës së NATO-s 1999 dhe pavarësisë 2008) nuk është më aq automatik sa dikur – sidomos nën administratën Trump.

Manovra në Davos dhe roli i Ramës

Sipas FAZ, Osmani arriti që Kosova të bëhej anëtare themeluese e “Këshillit të Paqes” të propozuar nga Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Ajo u shfaq krenare pranë presidentit amerikan, por ky hap thuhet se u bë pa koordinim me kryeministrin Albin Kurti. Gazetari gjerman citon burime nga Prishtina se hyrjen te Trump ia mundësoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka lidhje të ngushta me Jared Kushnerin përmes një projekti të madh imobiliar në bregdetin shqiptar. Rama, sipas FAZ, shfrytëzon çdo mundësi për të forcuar Osmanin si rivale të Kurtit, të cilin “nuk e duron”.

Mungesa e mbështetjes në Kuvend dhe “kërcënimi” amerikan

Mandati i Osmanit përfundon në mars dhe presidentja zgjidhet nga Kuvendi. Por, siç thekson FAZ, ajo nuk ka siguruara mbështetje të mjaftueshme parlamentare. “Ajo përshkruhet si person i vështirë” dhe shumë bashkëpunëtorë të ngushtë (si Blerim Vela) nuk kanë qëndruar gjatë. Si alternativë, Osmani po mundohet të krijojë imazhin e “favoritës së Trumpit”. Një burim i mirë-informuar në Prishtinë i tha FAZ-it: Osmani po i kërcënon deputetët në mënyrë indirekte, “nëse nuk më rizgjidhni, do të keni probleme me SHBA-të”.

FAZ vëren se suksesi i Kurtit në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit (Vetëvendosje me 51,1% të votave) tregon se “karta amerikane” nuk funksionon më si dikur. Edhe pse Kurti mbështeti hapur Bidenin dhe vizitoi konventën demokrate në Çikago 2024, dhe edhe pse Trump anuloi “dialogun strategjik” me Kosovën duke e fajësuar Kurtin, shumica e qytetarëve i beson Kurtit. Opozita paralajmëroi se Kurti po rrezikon marrëdhëniet me SHBA-të, por kjo retorikë nuk pati efekt.

Çfarë fiton Kosova nga “Këshilli i Paqes”?

Presidentja Osmani, në intervistë për BBC, e mbrojti anëtarësimin në Këshillin e Paqes duke thënë se SHBA-të sollën veprime reale – jo vetëm rezoluta si OKB-ja. “Ne kemi besim te udhëheqja e Shteteve të Bashkuara”, tha ajo. Por FAZ vë në dyshim kuptimin praktik: Kosova me rreth 1,6 milionë banorë a do të paguajë tarifën e kërkuar prej 1 miliardë dollarësh për anëtarësim të përhershëm? Jehonja në Kosovë është e ndarë, disa e shohin si realpolitikë të domosdoshme (për shkak të Camp Bondsteel si “sigurim jete” kundër Serbisë), të tjerë si nënshtrim të panevojshëm, raporton FAZ.

Episodet kontroverse: Hoteli “Trump” dhe filmi “Melania”

FAZ kritikon ashpër disa veprime: Burri i Osmanit, Prindon Sadriu, propozoi në X që ish-Grand Hoteli në Prishtinë të kthehet në “Trump Hotel” , çka u prit me tallje. Po ashtu, Osmani organizoi pritje madhështore për premierën e filmit dokumentar “Melania” për bashkëshorten e Trumpit, duke e lavdëruar atë si figurë udhëheqëse. Kjo u kritikua si servile, sidomos duke pasur parasysh lidhjet e regjisorit Brett Ratner me Jeffrey Epstein-in.

Në fund, FAZ kujton deklaratën e Osmanit në intervistë për të njëjtën gazetë në 2019: Ajo donte të linte mesazhin se gratë në Kosovë nuk janë inferiore. Por tani, sipas analistëve të cituar, ajo po demonstron se mund të bëjë “edhe atë që burrat bëjnë – të jenë pa shtyllë kurrizore për karrierë”.

/FAZ/

Lajme të ngjashme