Eksportet s’e mbajtën as për së afërmi ritmin me importet, deficiti tregtar u thellua eksponencialisht
Përtej retorikës së ish-kryeministrit Albin Kurti, i cili sa herë i jepej rasti i binte me zell narrativës së një “transformimi ekonomik” në fushën e tregtisë së jashtme, realiteti i pasqyruar nga raportet vendore dhe ndërkombëtare një kontrast të qartë si e zeza mbi të bardhën, me importin që rritej në mënyrë eksponenciale, duke thelluar ndjeshëm deficitin tregtar të vendit.
Në katër vitet e qeverisjes Kurti, Kosova rrëshqiti drejt një hendeku strukturor në tregtinë e jashtme, me një bilanc kumulativ që nga viti 2020 e deri më sot ka tejkaluar shifrën marramendëse prej 19 miliardë eurosh në disfavor të saj.
Sipas raportit të fundit i Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2024, deficiti i llogarisë rrjedhëse është rritur me 25.4 përqind dhe ka arritur në 914.8 milionë euro, ose 8.9 për qubd të Bruto Produktit Vendor.
Rritja rezulton se është shkaktuar kryesisht nga një përkeqësim i mëtejshëm i deficitit tregtar të mallrave, që arriti 4.9 miliardë euo.
Ecuria e Bilancit Tregtar (2014-2023)
Grafiku paraqet ecurinë e eksporteve, importeve dhe bilancit tregtar. Të gjitha vlerat janë të shprehura në miliardë euro.
Burimi: Të dhënat e ofruara.
Rritja e eksportëve, rreth së cilave Kurti trumpetoi sukses historik, mbetei vetëm një rritje pakrahasueshmërisht më e vogël krahasuar me rritjen e importeve.
Sipas BQK-së, importet përfaqësojnë 61.8 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e ekspozuar vendin ndaj një varësie të thelluar nga tregjet e huaja, që shton ekspozimit e Kosovës ndaj presioneve inflacioniste.
Pikërisht në këtë kontekst, BQK parashikoi për një normë më të lartë inflacioni prej 3.3 për qind për vitin 2025, e ndikuar nga rritja e presioneve mbi çmimet e ushqimit dhe energjisë elektrike.
“Varësia e ekonomisë së Kosovës nga importi i mallrave ushqimore dhe energjetike, si dhe pesha e lartë e këtyre mallrave në shportën e konsumit, ndikojnë që norma e inflacionit në Kosovë të përcaktohet në masë të madhe nga çmimet e mallrave të importuara ” – thuhet në raport.
Në vitin 2024, vlera e gjithsej mallrave të importuara arriti në 6.4 miliardë euro, që përfaqëson 61.8 përqind të BPV-së.
Nga ana tjetër, ndonëse eksportet u rritën me 9.3%, duke arritur në 943.6 milionë euro, rritja mbetet statistikisht e vogël dhe strukturalisht e pamjaftueshme për të zbutur deficitin tregtar, i cili vazhdon rritjen eksponenciale.
“Rritja e deficitit tregtar ishte rezultat i rritjes së importit të mallrave dhe shërbimeve për 8.9 përqind (importi i mallrave shënoi rritje reale për 7.0 përqind dhe importi i shërbimeve shënoi rritje për 16.4 përqind).” – thuhet më tej në raport.