Edhe pak orë afat: Deri më tani KQZ-ja ka pranuar deklarimin e 4 koalicioneve parazgjedhore
Ka mbetur edhe pak orë afat që subjektet politike të aplikojnë në KQZ për koalicione parazgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit. Afati i vendosur nga KQZ-ja për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore përfundon sot në ora 16:00.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për gazën Nacionale, se deri me tani ky institucion ka pranuar deklarimin e katër koalicioneve parazgjedhore.
“Deri më tani KQZ ka pranuar deklarimin e 4 koalicioneve ndërmjet partive politike të regjistruara: 1. Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli, me emrin e koalicionit: PDU – BALLI KOMBIT; 2. Aleana për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, me emrin e koaliconit: AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS, NISMA – NISMA SOCIALDEMOKRATE, LISTA KONSERVATORE, FORUMI INTELEKTUAL – E – 30; dhe 3.Naša Inicijativa dhe Bošnjačka Stranka Kosova, me emrin e koalicionit: NAŠA BOŠNJAČKA KOALICIJA. 4. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, me emrin e koalicionit: KOALICIJA VAKAT”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka vlerësuar se deklarimi i koalicioneve parazgjedhore në KQZ është obligim ligjor.
“Është detyrim ligjor për partitë politike të regjistruara që brenda 15 ditëve nga shpallja e datës së zgjedhjeve të njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike se do të kërkojë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit apo se nuk dëshiron të garojë në zgjedhje. Pra, afati i vendosur nga KQZ (16 – 30 gusht 2024) është në përputhje me ligjin dhe si i tillë nuk mund të ndryshohet”, është shprehur ai.
Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja kanë bërë me dije se nuk do të bëjnë koalicione parazgjedhore me ndonjë subjekte të vençat politike. Zyrtarët e këtyre partive kanë bërë me dije se janë të hapur që në listat e tyre zgjedhore të fusin njerëz të fushave të ndryshme, por edhe personalitet tjera nga partitë më të vogla.
Ende nuk është qartësuar raport i partisë në pushtet, VV-së, me dy subjektet tjera të vogla politike, Lista Guxo dhe Alternativa.
Këto dy të fundit, në zgjedhjet e kaluara kanë qenë pjesw e listës zgjedhore të VV-së.
Duket se e njëjta praktikë do të ndiqet edhe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, ka thënë mbrëmë se bashkëpunimi me këto dy subjekte politike do të vazhdojë.
Për RTV21, ai ka thënë nuk beson se do të ketë koalicion parazgjedhor me këto dy subjekte politike.
“Nuk e di në aspektin teknik si do të ndodh, por ne jemi me Listën Guxo dhe dhe Alternativën e znj. Kusari Lila. Sigurisht që do të shkojmë se bashku me këto subjekte politike, por në aspektin teknik se si do jetë do të vendosin subjektet politike. LVV është subjekt i cili do t’i hyjë garës, por pa ndonjë koalicion të këtyre partive të cilat mund të aludojnë. Në aspektin teknik është çështje e kryetarit të subjektit politik. Unë besoj se (Alternativa dhe Guxo) do të jenë në listën tonë.”, ka thënë ai.
Kurse, deputeti i partisë Guxo, Haxhi Avdyli, ka treguar se në orët në vijim do të qartësohet bashkëpunimi i këtyre subjekteve politike për zgjedhjet e ardhshëm.
“Falë bashkëpunimit të mirë që kemi pasur në ekzekutiv dhe legjislativ si parti VV dhe Guxo e shohim të nevojshme që ky bashkëpunim duhet të vazhdojë dhe në këtë drejtim diskutimet kanë qenë dhe kanë vazhduar edhe sot dhe besoj do të arrihet të një marrëveshjeje e tillë që do t’i përfshijë një bashkëpunim të ardhshëm për katër vitet e ardhshme të qeverisjes”, ka thënë ai për RTV21.
Ai beson se koalicioni i partisë së tij më partinë në pushtet ka qenë i suksesshëm.
“Mendoj që partia Guxo i ka dhënë shumë këtij koalicioni edhe në Kuvend edhe në ekzekutiv dhe në këtë drejtim gjitha këto premisa na çojnë që ne ta vazhdojmë bashkëpunimin e ardhshëm në katër vitet e ardhshme dhe besoj se kjo do të arrihet përmes një koalicioni. Pritet në oret vijuese (zyrtarizimi i koalicionit) Kolaicioni deri në orën 16:00 besoj se do sqarohen të gjitha dhe besoj se ky koalicion do të regjistrohet dhe do vazhdojmë bashkëpunimin në katër vitet ardhshme per të vazhduar punët e mira”, është shprehur Avdyli.
Koalicioni parazgjedhor mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike. Partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar, derisa rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen.