"E njeh mirë trurin politik të Beogradit, si sllovenët": Ekspertët rajonalë i gëzohen ardhjes së mundshme të Pahorit në dialog
Vera e vitit 2024 mund të shënojë edhe fillimin e një stine katër vjeçare më të ngrohtë në një proces thelbësor për Kosovën: Dialogun e Fascilituar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Diplomati sllovak, Miroslav Lajçak lëshon timonin e dialogut dhe ulësja – me gjasa të mëdha – mund t’i ofrohet ish-presidentit slloven, Borut Pahor.
Ky i fundit veçse njoftoi se kandidatura i tij këtë javë dërgohet në Bruksel përmes ministrisë së jashtme sllovene.
Kosovarët – natyrshëm – kanë pasur doza të ndjeshme mosbesimi ndaj udhëheqësve të këtij procesi të cilit vinin nga shtete mosnjohëse: Lajçakun sllovak dhe Borrellin spanjoll.
“Lajm shumë i mirë”.
Kështu thotë profesoresha në Universitetin e Amsterdamit dhe studiuesja eminente, Nevenka Tromp, në një bisedë me Nacionalen, rreth këtij ndërrimi domethënës.
Por, çka e bën tejet të rëndësishëm dhe të vlefshëm në favor të Kosovës ardhjen e Pahorit, sipas Tromp, duhet parë në retrospektivë, përkatësisht në histori.
“Çështje e rëndësishme është se Sllovenia vetë ka qenë palë në shumë negociata të dështuara me Serbinë që nga 1980’at dhe e di trurin politik – ose të themi oktapodin politik – me të cilin funksionon Beogradi”, tha Nevenka Tromp për Nacionale.
Për ekspertin kroat të çështjeve rajonale, Davor Gjenero, ish-presidenti slloven, Borut Pahor, në krye të këtij procesi “është personi edhe i duhur edhe i denjë”.
“Ai ka aftësitë diplomatike. Është në favor të integrimeve euroatlantike; dhe është miq i të dyve, edhe Kosovës dhe Serbisë”, tha Davor Gjenero në një përgjigje për Nacionalen.
Lajçaku në atë post qysh nga fillimi, na thotë njohësi kroat, “ka qenë gabim”.
“Në atë mënyrë Kosova nuk ishte në pozicion të barabartë me Serbinë në atë proces”.
Ardhja e një ish-presidenti slloven, për Nevenka Tromp, peshon mirë për Kosovën.
“Sllovenia i ka qëndruar një pozicioni konsekuent ndaj Kosovës që nga 1980’at pavarësisht se cila qeveri ka qenë në pushtet atje. Që nga mbështetja e minatorëve në 1988 dhe 1989 që parapriu revokimin e autonomisë së Kosovës nga Serbia e deri në luftën e viteve 1998-1999”.
“Sllovenia po ashtu është një vend i rëndësishëm për rrugën evropiane të Kosovës – e më konkretisht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe mëpastaj në anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha Nevenka Tromp.
Për më tepër, për atë që vetë Sllovenia e njeh mirë “trurin politik të Beogradit” duke pasur përjetuar vetë këtë fërkim të dorës së parë me të përgjatë historisë, Tromp na thotë se Pahori e posedon krejt këtë realitet në formësimin e tij politik.
“Pahor si djalë i ri dhe mëvonë si politikan i suksesshëm është i formësuar nga kjo histori. Jam i sigurt që gjatë mandatit të tij katër vjeçar Pahor do të bëjë ndryshime të ndjeshme krahasuar me pararendësit e tij”, na tha Tromp.
Për Davor Gjenero, megjithatë, edhe Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri mbetet problem në peshoren e (pa)barazisë në negociata mes Kosovës dhe Serbisë.
“ Edhe Borrelli ende mbetet në një post të rëndësishëm; dhe kjo s’është mirë që personi kyç në krijimin e një politike të përbashkët evropiane është një dikush që s’ia njeh pavarësinë Kosovës. Por, ama edhe kjo do të ndërrojë pas disa muajsh”.
“Andaj edhe kam shpres që ekipi evropian për dialogun K-S do të jetë më i pajisur se sa ç’ishte këto disa vite”, përfundoi Davor Gjenero në një bisedë me Nacionalen.