E konfirmon prokuroria: Kanë nisur hetimet për dhunë në Kuvend, do të intervistohen të gjitha palët
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetime për veprën penale “Sulm” në lidhje me dhunën në Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së sotme.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria ka njoftuar se ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore.
Po ashtu, Prokuroria mes tjerash ka treguar se do të merren deklaratat e palëve të përfshira në këtë procest, që rrjedhimisht, janë deputetët dhe ministrat
"Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, sipas KPRK-së, lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast.Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmerre të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë." - thuhet në njoftim.
Sërish tensione
Pas rreth tre orëve pauzë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, vijoi me mbajtjen e një seancë të re.
Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit, ndërsa deputet e PDK-ja kanë sjell në seancë dy pankarta të mëdha ku Albin Kurti dhe Mimoza Kusari shihen me hundë të madhe, si "Piniokio".
Me të filluar seanca, deputetët e PDK-së kanë tentuar t'i afrohen foltores së kryeparlamentarit. Më pas, dikush nga deputetët ka hedhur ujë në drejtim të Konjufcës.
Tashmë ka ndërhyrë edhe sigurimi i Kuvendit në sallë.
Ndërsa, kryeparlamenatri Konjufca ka paralajmëruar se kushdo që ushtron dhunë do të largohet nga salla.
Çka ndodhi?
Derisa kryeministri Kurti po mbante fjalim, fillimisht, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e quantë “rrenc”.
Më pas, njëra prej deputeteve vendosi një fotografi në foltoren e Kuvendit, ku shihej kryeministri me “hund të zgjatur”, që simbolizon gënjështrën.
Pas disa sekondave, letra u largua dhe u shqye nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Kjo e acaroi deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili hodhi ujë nga një shishe në drejtim të zëvendëskryeministrit Bislimi, dhe më pas, përleshja eskaloi ku ministrat e Qeverisë sulmuan deputetin Lushtaku dhe të tjerët që dolën aty.
Në pamjet direkte, shihet se deputetët janë përleshur me grushta, derisa ka ndërhyrë edhe sigurimi i kryeministrit Kurti.
Gjatë përleshjes, deputeti i PDK-së Hajdar Beqa shihet në pamje derisa e grushton ministrin Hekuran Murati që i doli në mbrojtje kryeministrit Kurti pasi ndaj tij u hodh ujë nga ana e deputetit Mërgim Lushtaku.
Ai shihet derisa fillimisht i merr syzet e Muratit, dhe më pas e godet.
Më pas, Beqa shihet edhe gjatë pjesës tjetër të videos derisa mban në dorë syzet e Muratit.
I grushtuar nga kjo situatë mbeti edhe zv. kryeministri Besnik Bislimi. Nga pamjet e publikuar deri më tani ende nuk dihet se kush se kush e goditi Bislimin.
Që nga fillimi seanca e sotme ishte e tensionuar. Kjo për shkak të përgjimeve të publikuar nga gazeta Nacionale, ku shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, dëgjohet duke biseduar me deputetin e Listes Serbe, Sllavko Simiq. Në këtë bisedë, deputetja e VV-së e pranon se për disa minuta ka biseduar Milan Radojçiqin, të dyshuarin për krime të ndryshme në Kosovë.
Madje, gjatë kësaj bisede Kusari-Lila dëgjohet duke i fyer kolegët e saj të partive opozitarë.