“E ka futur veten në situatë të palakmueshme”: Aleanca dhe PDK-ja e kritikojnë Abdixhikun për takimin me Kurtin
Takimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me kryetarin e VV-së, Albin Kurti, nuk është pritur mirë nga dy subjektet tjera opozitare. Përfaqësuesit e PDK-së dhe të Aleancës e kanë kritikuar të parin e LDK-së për pranimin e ftesës së Kurtit.
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë me dije se i pari i LDK-së e ka futur veten në një situatë të palakueshme.
Në emisionin Rubikon, ai ka thënë se LDK-ja nuk është dashur të futet në këtë situatë.
“Duke parë që Lidhja Demokratike e Kosovës fatkeqësisht e ka futur veten në një situatë të pa lakmueshme, shumë të pa lakmueshme. Për nder, nuk e kam fort për zemër me i komentu, por është e pa lakmueshme, sepse tash me nejt qysh, me dal qysh. Është punë e tyre, por e shoh që është pozitë kogja e pa lakmueshme”, ka thënë Gjini.
Edhe PDK-ja ka reaguar për takimin Kurti-Abdixhiku.
Deputeti i kësaj partie, Mërgim Lushtaku, ka thumbuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai ka bërë me dije se PDK-ja nuk bie pre e lojërave dhe skenarëve të pushtetit mashtrues.
Në profilin e tij në Facebook, Lushtaku ka shkruar se PDK-ja po dëshmon se di të qëndroi drejtë.
“PDK po dëshmon se di të qëndrojë drejt dhe krenare, ashtu siç i ka hije. 💙 PDK nuk bie pre e lojërave dhe skenarëve të këtij pushteti mashtrues. Për shtetin. Për Kosovën”, ka shkruar ai.
Takimi i mbrëmshëm i Abdixhiut me Kurtin nuk është pritur mirë as një pjesë e LDK-së.
Kryetari i degës së dytë të LDK-së në Prishtinë, Florian Dushi, ia ka treguar Abdixhikut qëllimet e Kurtit.
Sipas tij, Kurti dhe partia e tij tashmë e kanë dëshmuar disa herë se nuk duan stabilitet.
“Tashmë e ka dëshmuar shumë herë Kurti dhe organizata e tij se nuk e duan stabilitetin. Ata duan krizë, sepse me kriza u rritën dhe në krizë mbijetojnë. Krizat i krijojnë, i thellojnë dhe pastaj i shfrytëzojnë politikisht. Sa herë vendit i duhet qetësi, normalitet dhe institucione që funksionojnë, ata prodhojnë konflikt, përçarje dhe krizë”, ka shkruar Dushi në profilin e tij në Facebook.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbrëmë është takuar me liderin e VV-së, Albin Kurti, për herë të dytë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Derisa në takimi e parë në takim me Kurtin kishte shkua se bashku me Vjosa Osmanin, mbrëmë ai kishte marrë me vete edhe nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri.
Megjithatë, as ky takim nuk solli ndonjë rezultat konkret. Pas takimit, Abdixhiku ka thënë se nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje.