Dyshime se s'bëhet: Projektligji për sigurimet shëndetësore "veç sa për ta arsyetuar veten pse i lanë anash"
Shumë kohë – rreth pesë vite.
Kaq periudhë kohore konsiderohet të jetë e nevojshme që sigurimet shëndetësore të bëheshin realitet i prekshëm në vend, zotim ky elektoral i Vetëvendosjes dhe supozivisht synim i tij i mandatit katërvjeçar akrepat prapa të të cilit kanë nisur të numërohet.
E në këtë numërimi prapa sot Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për sigurimet shëndetësore, ndonëse një ligj i tillë veçse ekzistonte paraprakisht por asnjëherë i zbatuar.
Vetëm dje çështja e sigurimeve shëndetësore – aq shumë e kërkuar, e aq shumë e injoruar – u kthye në diskurs të pushtetit, kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se do të jetë zotim i përmbushur. Të nesërmen e miratoi projektligjit. Por, mandati veçse sa s’është konsumuar...
Nga posta e lajmeve të Vetëvendosjes u dha si ekuivalent i ‘u tha, u bë’.
”Sigurimet shendetesore nuk janë bo. Eshte miratu vetem projektligji”, shkroi gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija, duke u shprehur mosbesues se kjo gjë mund të kryhet brenda tre-katër viteve.
“Ky projektligj edhe pse shumë i vonuar, është një hap i mirë. Por unë nuk pres me fillu sigurimet së paku edhe 3-4 vite. Kushdo që i bën më herët e ka votëë time në zgjedhjet e vitit 2029”, shkroi më tej ai.
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, iu rikthye faktit se ka ligj të miratuar në vitin 2014 për sigurimet shëndetësore – por, të zbatuar asnjëheër. Njëjtë e pa edhe të sotmin, që e gjuajti ”amandametim kozmetik”..
”Kosova ka ligj per sigurimet shendetsore, te miratuar ne vitin 2014. I njejti nuk eshte zbatuar, pra qytetaret nuk e kane gezuar asnje perfitim nga ky ligj. Zbatim dhe perfitim nuk pritet, as nga amandamentimi kozmetik i sotem, i bere jo per perfitim te qytetareve, por per perfitime zgjedhore te partise ne pushtet”, shkroi Rukiqi.
Kryetari i Shoqatës së Pacientëve të Kosovës, Besim Kodra, është edhe më skeptik dhe ka vështrim dyshues ndaj krejt nismës së sotme.
“Pesë vjet do duhej t’i kishim për ta bërë një sigurim të mirëfilltë. Tendenca e pushtetarëve është që kur flasin për sigurime të flasin për premiumet e sigurimeve. Premiumet janë pjesa e fundit, duhet të flasim për përgatitjet, lista e shërbimeve, çmimorja, kontraktimi i shërbimeve e pastaj duhet të dimë sa duhet t’u marrim qytetarëve për t’i mbuluar ato shërbime”, tha ai në KTV.
“Përveç entuziazmit të Qeverisë për ta bërë, të gjitha gjërat tjera mungojnë, duke filluar nga sistemi informativ shëndetësor që do ishte parakusht i rëndësishëm për implementimin e sigurimeve, listat e shërbimeve që i ofrojnë institucionet shëndetësore, çmimoret e shërbimeve, sistemi i sigurimeve shëndetësore, etj”, ka thënë Kodra.
Për më tepër, Kodra as që sheh ndofarë interesimi qeveritar që kjo punë të kryhet: sepse nuk është punë që kryhet në një mandat dhe “nuk mund të dalë një forografi e mirë në Facebook”.
Për deputetin e Aleancën e Ardhmërisë së Kosovës, Pal Lekaj, është vonesë e madhe që pak kryerjes së mandatit, qeveria e nxjerr atë në fund.
“Është e papranueshme që qeveria ka vonuar për më shumë se tre vjet miratimin e ligjit për sigurimet shëndetësore. Kjo vonesë ka penguar qytetarët tanë të përfitojnë nga mbrojtja dhe siguria e nevojshme shëndetësore që ky ligj do të siguronte”, tha Pal Lekaj.
“Qytetarët kanë vuajtur nga mungesa e një sistemi të qëndrueshëm të sigurimeve shëndetësore, gjë që ka rezultuar në kosto të papërballueshme për shumë familje dhe një ndjenjë pasigurie për të ardhmen. Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për këtë neglizhencë dhe të ndërmarrë hapa urgjentë për të zgjidhur këtë çështje dhe për të siguruar që një situatë e tillë të mos përsëritet në të ardhmen”, përfundoi Pal Lekaj në një përgjigje me shkrim për Nacionalen.