Dyshime për dallavere me grante në Istog: S`u respektuan preferencat e kryetarit, Ferati anuloi thirrjen publike - NACIONALE

Dyshime për dallavere me grante në Istog: S`u respektuan preferencat e kryetarit, Ferati anuloi thirrjen publike

1 javë më parë

nga NACIONALE

Fabian Ferizaj, anëtar i Komisioni për shqyrtimin e kërkesave dhe vlerësimin e projekteve nga shoqëria civile, ka akuzuar Komunën e Istogut se ka tentuar të bëj dallavere me thirrjen publike për mbështetje financiare të OJQ-ve dhe klubeve sportive.

Ai ka thënë se kryetari i kësaj komune, Ilir Ferati, ka tentuar të ndërhyj në punën e komisionit për të favorizuar OJQ të caktuara.

Ferizaj ka vlerësuar se arsyet që ka përmendur komuna për anulimin e thirrjes publike për mbështetje financiare të OJQ-ve nuk qëndrojnë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se atij i është bërë presion nga kryetarja e komisionit, Qefsere Ibrahimaj, për të ndryshuar vlerësimin e tij.

Sipas tij, vetëm pas refuzimit të tij për të ndryshuar vlerësimin profesional, komuna ka marrë vendim për anulimin e thirrjes.

Unë kam qenë anëtarë i komisionit në cilësinë e shoqërisë civile. Është e vërtetë se kanë qenë 3-4 klube të cilat kanë apliku për aktivitetet para thirrjes publike, por JO të gjitha organizatat. Ndjej përgjegjësi morale dhe etike ndaj kolegëve të OJQ-ve të ndaj me ju procesin e punës së komisionit. Vlerësimi ka fillu në mes te muajit korrik, përafërsisht rreth datës 15-16 korrik. Ky komision përbëhej nga: Qefsere Ibrahimaj(kryesuese), Ramiz Dreshaj, Afrim Metaj, Besnik Metaj, dhe Fabian Ferizaj”, ka shkruar Ferizaj.

Ai ka treguar se komisioni ka qenë korrekt në vlerësimin dhe shqyrtimin e të gjitha projekteve.

Gjatë vlerësimit, janë tërhek nga aplikimi klubi i basketbollit të Istogut dhe organizata Podguri. Përfaqësuesi i OJQ Podguri, ka qenë përsonalisht në zyrë dhe i dha arsyet e tij për tërheqje, ndërsa përfaqësuesi i klubit të basketbollit është telefonuar 2 herë, në të dyja telefonatat ka thënë se po tërhiqet. Komisioni e ka qenë i gatshëm të dalë me rezultate qysh më datën 25 korrik, por sipas kryesueses së komisionit, kryetari ka pengu publikimin e tyre sepse duhet t’i kontrolloj edhe ai”, ka vlerësuar ai.

Me tej, ai ka treguar se si i është bërë presion atij të nënshkruaj procesverbalin i cili përmbante tjera rezultate.

Sidoqoftë, pas disa javësh, më telefonon kryesuesja e cila nifar forme ka ushtru presion përderisa unë isha jashtë vendit me pushime. Më 22 gusht të këtij viti, kam shku me nëshkru proces verbalin në mënyrë që të publikohen edhe rezultatet. Por, më është ofru të nënshkruaj vetëm proces verbalin, pash që të gjithë anëtarët tjerë kishin nënshkru, unë kërkova ti shof edhe rezultatet. Kur mora rezultatet, ishte një rezultat krejt tjetër nga ai që ne si komision kishim nxjerrur. Si psh. Klubit të karatesë kishte pësuar ndryshim nga 7,357.00€ në 3,000.00€ klub i cili 5,000.00 kishte vetëm bileta dhe akomodim në pjesëmarrje të garave në 5 shtete. Pastaj OJQ Folklori i podgurit nga 950.00€ në 1,500.00€ pra shuma fikse pa kurrëfarë kriteri të vlerësimit. Po ashtu ndryshime kishte edhe në emra të organizatave”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se sipas kryesuesës së komisionit, këto ndryshime i kanë bërë kryetari i komunë Ilir Ferati dhe nënkryetari Ali Nimanaj. “Që nga ajo ditë, kam pas presione të ndryshme që ta nënshkruaj, por nuk kam pranu asnjëherë. Më 21 shtatorë, pash vendimin ku kryetari kishte anulu thirrjen, shkova takova gjithë komisionin vlerësues, ku më njoftuan se ata kishin nxjerrë rekomandim duke i’u drejtuar kryetarit për anulim të thirrjes publike me arsyen e lartëcekur. E që ky i fundit shumë shpejtë del me vendim ku e shfuqizon vendimin paraprak. Unë si anëtarë i komisionit, nuk jam ftuar që ta shqyrtojmë një rekomandim të tillë dhe nuk mbështes rekomandimin e kolegëve si komision”, ka thënë ai.

Asgjësohen rezultatet e komisionit

Fabian Ferizaj ka akuzuar edhe kryesuesen e këtij komisioni, Qefsere Ibrahimaj, se ka zhdukur rezultatet e komisionit.

Megjithatë, ai ka prezantuar fotografi ku është pasqyruar vlerësimi i komisionit.

Unë, kërkova t’i posedoja rezultatet e nxjerrura nga kryetari dhe nënkryetari, kryesuesja tha qe janë asgjësuar, akoma më keq se kryesuesja kishte asgjësuar edhe rezultatet e nxjerrura nga ne si komision, por unë kam fotografuar disa nga to në perfundim te vlerësimit dhe janë të shkruara me laps kimik. Në bisedë e sipër me anëterët tjerë të komisionit, kryesuesja pohon se kryetari ka thënë me që Fabiani spo e nënshkruan procesin, bëjeni një rekomandim për anulimin e thirrjes publike”, ka thënë ai.

Pas Ferizaj nuk ka pranuar të bëhet pjesë e dallavere, komisioni për shqyrtimin e kërkesave dhe vlerësimin e projekteve ka rekomanduar që të bëhet anulimi i thirrjes publike për ofrimin e mbështetjes financiare të OJQ-ve dhe klubeve sportive.

Sipas Fabian Ferizajt, rekomandimi për anulimin e thirrje është bazuar mbi një vlerësim të rrejshëm.

Duke u bazuar në këtë rekomandim, komuna ka marrë vendim për anulimin i thirrjes publike të datës 30.05.2022 për ofrimin e mbështetjes financiare të OJQ-ve dhe klubeve sportive.

Në pikën 4 të vendimit, i cili është nënshkruar nga kryetari i komunës, thuhet se Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport obligohet që ta rishpall thirrjen publike pas tri ditëve.

Pas vendimit të komunës, Fabian Ferizaj është shprehur serish i gatshëm që të jetë pjesë e këtij komisioni.

Të nderuar, unë jam i gatshëm prapë të jem anëtarë komisioni, por asnjëherë të nënshkruaj diçka që është në dëm të shoqërisë, sepse unë kam vlerësuar projekte pa preferenca e pa anime dhe do të vazhdoj të jem i tillë pa varësisht nëse i pengon apo i konvenon kujt”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme