Dënohen sulmet me granata në Zveçan, kërkohet mbrojtja e kryetarit Peci: Akte terroriste për të ndjellur frikë
Mbrëmë është sulmuar me granatë dore ndërtesa e Komunës së Zveçanit, që udhëhiqet nga Ilir Peci i PDK-së. Fatmirësisht, hedhja e granatës ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Megjihatë, ky nuk është sulmi i vetëm kohëve të fundit. Dy ditë më parë, më saktë të mërkurën, u hodhën dy granata dore sërish në Zveçan, ndërsa disa ditë më herët, Policia e Kosovës konfiskoi granata, pushkë, maska e uniforma në këtë komunë. Tashmë ka shumë reagime për këto sulme. Çfarë ndodhi?
Në një prononcim për media, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, e konfirmoi rastin e hedhjes së granatës në objektin komunal në Zveçan. Elshani tregoi se ka pasur dëme material, përfshirë dëmtimin e katër veturave.
“Mbrëmë para mesnate ka pas një shpërthim që ne dyshojmë se ka qenë granate dore e llojit M-75. E njëjta ka shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e komunës së Zveçanit, e po ashtu edhe në 4 vetura që kanë qenë të parkuara aty afër… E njëjta ka shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e Komunës së Zveçanit e poashtu edhe në 4 vetura që kanë qenë të parkuara aty afër. Nuk ka të lënduar apo të dyshimtë, ndërsa policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit” – ka thënë Elshani.
Ky sulm është identifikuar edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
“Raportohet se si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur janë dëmtuar disa pjesë të objektit të komunës si dhe xhamat e disa veturave që kanë qenë të parkuara në afërsi. Shpërthimit dyshohet se ka ndodhur nga një mjet shpërthyes (dyshohet granatë dore) që është hedhur nga person/a të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti në hetime” – shkruhet në raportin 24-orësh.
Për sulmin e sotëm ka folur edhe kryeministri Albin Kurti.
“Në katër komunat atje ka edhe siguri, ka edhe zhvillim, ka edhe demokraci. Jo sa do të duhej, po pakrahasimisht se sa më parë...Keqbërës, ndonjë element terrorist nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat paralele, grupet kriminale që kanë ekzistuar atje ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë, ose strehohen ndonjë kund edhe jashtë rajonit tonë...Janë akte kriminale dhe terroriste, që kanë qëllim për të ndjellur frikë” - tha Kurti.
Pamje nga dëmet ka publikuar kryetari Peci, i cili e ka dënuar këtë sulm.
“Si Kryetar i Komunës, unë e dënoj fuqishëm këtë akt të papranueshëm të dhunës dhe terrorit ku para dy dite ka ndodhur i njëjti sulm në stacionin policor të Komunës së Zveçanit” – ka shkruar Peci.
Për sulmin e sotëm me granatë ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe PDK-ja. Në reagimin e tyre, PDK-ja ka kërkuar që t'i ofrohet siguri kryetarit Peci dhe zyrtarëve të tjerë të kësaj komune.
"Si PDK, e ripërsërisimin kërkesën tonë ndaj organeve të rendit që t’i ofrojnë mbrojtje dhe të garantojnë sigurinë e Kryetarit dhe zyrtarëve tjerë të Komunës së Zveçanit" - ka theksuar PDK-ja.
Dy ditë më parë, më saktë të mërkurën u hodhën dy granata dore në Zveçan.
“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM
Zveçan 26.11.2024, 23:55. Është raportuar se nga persona të panjohur janë hedhur dy granata dore në oborrin e stacionit policor, ku përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar. Rasti nën hetime” – thuhej në raportin 24-orësh të PK-së.
Po ashtu, kohëve të fundit në raportuar edhe për disa tentime të kontrabandave në veri, të cilat janë ndaluar nga KFOR-i dhe PK-ja. Sjellim ndër mend që disa ditë më parë, PK-ja konfiskoi granata, pushkë, maska e uniforma në Zveçan gjatë një operacioni policor.
“Me datën 19.11.2024 pas pranimit të një informate, është kryer një kontroll në rrugën
Kralj Petri në Zveçan nga njësitet policore. Gjatë kontrollimit janë gjetur tre kavanozë (bure) plastikë të groposur në dhe, në të cilët kishte pasur uniforma ushtarake, armë AK47, granata dore dhe fishekë. Fillimisht një bure është gjetur nga njësitet e DRP Mitrovicë Veri, e më pas nga Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive janë gjetur edhe dy bure të tjera.
Dëshmitë të cilat janë gjetur dhe janë marrë nga Policia janë:
1. 4 granata M75
2. dy pushkë automatike AK 47
3. gjashtë karikatorë me municion të AK 47
4. një karikator i zbrazët
5. 156 fishek të AK 47
6. 179 fishekë të M48
7. një antiplumb ushtarak, me dy pllaka
8. tri palë pantallona
9. katër jakne ushtarake
10. dy jelekë taktikë
11. dy gas maska
12. dy çanta krahu ushtarake
13. 5 rripa ushtarakë të brezit
14. një maicë e zezë” – raportonte PK-ja.