Dy ambasadorët gjermanë përnjëherë kërkojnë Asociacionin, Brnabiq lavdon qëndrimet “e qarta” të Gjermanisë
Dy ambasadorët gjermanë, Jorn Rohde në Kosovë dhe Anke Konrad në Beograd, në të njëjtën kohë kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës të ec para me Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe; kjo e fundit mospërparimin në këtë çështje duke e quajtur “për të ardhur keq”.
Derisa Rohde ka kërkuar jo themelimin e plotë të Asociacionit për vetëm bërjen e hapit të parë – miratimin me dekret qeveritar dhe dërgimin e tekstit për rishikim kushtetues – Konrad u lëshua në vlerësime më të gjera të themelimit të Asociacionit, gjë që sipas saj, ka qenë dashur të ndodh qysh më 2013.
“Viktimat e kësaj janë gjithmonë qytetarët, që jetojnë atje dhe nuk shohin se si mund të realizohen perspektivat e tyre”, ka thënë ajo, siç e citoi “RTV”.
Rohde, në anën tjetër, në një intervistë për TëVë1, e vazhdoi kërkesën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, për dërgim të draft-Statutit në Gjykatë Kushtetuese.
“E kam thënë publikisht shumë herë…Ne nuk po kërkojmë implementim të plotë të Asociacionit. Ne po kërkojmë për hapin e parë të dukshëm. Dhe ky është dërgimi i draft-statutit te Gjykata Kushtetuese e juaj. Sepse, siç tha kolegu im amerikan dje, Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion në këtë planet,që ka kompetenca të kontrollojë këtë draft-statut, asnjë institucion tjetër”.
“Nëse Kosova nuk e bën këtë, është lehtë për palën tjetër të thotë nuk bëjmë gjë. Sepse draft-statutin për Asociacionin është e vetmja gjë që Kosova duhet të bëjë”, ka thënë Rohde.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, ka folur rreth deklarimeve të ambasadores gjermane atje, për çka tha se pozicioni i Gjermanisë që Asociacioni të themelohet “është i qartë”.
“Qëndrimi i Gjermanisë është se Marrëveshja e Brukselit duhet të zbatohet, se ka pasur shumë vonesa dhe se Asociacioni i Komunave (të banuara me shumicë) Serbe duhet të jetë gjithmonë e para në rendin e ditës. Shpresoj se do të tregohet në praktikë në një kohë të parashikueshme, edhe pse është shtyrë për më shumë se 11 vjet”, u tha Brnabiç gazetarëve në Berlin.
Rohde për Nacionalen:
Para mëse një jave, Jorn Rohde në një intervistë për Nacionalen i qëndroi sërish çështjes së Asociacionit si gjëja e paevitueshme për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Është e dukshme që Neni 4 nuk po respektohet (nga Serbia)...por nga Kosova pritet që të lëviz te ky Asociacioni i famshëm ose famëkeq”, tha Rohde.
“Pozicioni i Gjermanisë, dhe mund t’jua citoj, e mbani mend, pak para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të KiE-së: pati një letër të përbashkët nga Presidenti Macron, Kryeministrja Meloni, Kancelari Scholz saktësisht në këtë çështje. Letra thotë: ka rrezik të madh që nuk do t’i ketë Kosova 2/3 të votave të shumicës nëse Kosova nuk lëviz para me Asociacionin; dhe kjo lëvizje para do të thotë të dërgohet draft-Statuti (i BE-së) në Gjykatë Kushtetuese”.
“Ka pasur shumë komente tash që nuk mundemi ta bëjmë, le të dërgohet në Komision të Venecias. Po, Kosova është anëtare e Komisionit të Venecias, mund ta dërgojnë vetë në Komision të Venecias, por mund ta dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese të tyre. Dhe, kjo është pritja jonë”, ka thënë mes tjerash ai.
Ndërprerë nga Naconiale duke ia rifrazuar Kurtin për draft-Statutin si “non-paper”, “jo-dokument” apo “si letër pa autor”, Rohde na thotë “më lejoni pra tash edhe unë t’ia rifrazojë letrën e Scholz, Meloni, Macron”.
“As s’kam çka i shtoj kësaj”, na thotë Rohde teksa lexon letrën e tre liderëve të shteteve më të fuqishme të BE-së se draft-Statuti i BE-së për Asociacionin ka mbështetjen e madhe të tyre dhe se, në fakt, është kusht i paevitueshëm për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës.