“Duhet të paguajnë dhe të vuajnë”: Si e përdrodhën deklarimin e Kurtit në Serbi për ta paraqitur si “kërcënim ndaj serbëve” - NACIONALE

“Duhet të paguajnë dhe të vuajnë”: Si e përdrodhën deklarimin e Kurtit në Serbi për ta paraqitur si “kërcënim ndaj serbëve”

1 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Askush më shumë se Serbia nuk kapitalizon mbi fjalën “vuajtje”. E kanë prej rrënjëve të folklorit nacional e deri në deklarimet e përditshme politike skajshmërisht viktimizuese. E mu këtë fjalë do t’ia ndanin Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku para gazetarëve në Bruksel po deklarohej në lidhje me katër komunat të banuara me shumicë serbe, përkatësisht për dorëheqjet en masse të serbëve nga institucionet dhe ardhjes së kryetarëve legale (ndonëse jo legjitimë) shqiptarë në krye të institucioneve atje.

Kurti, teksa po shpaloste mendimet e tij për “gabimin” e dorëheqjes së Listës Serbe, tha se Kosova si shtet “nuk mund të paguajë për gabimin e tyre dhe të vuajmë”.

Ata që gabojnë do të jenë ata që do të vuajnë”, tha Kryeministri Kurti.

E përdori edhe për herë të tretë fjalën “vuajtje” dhe atë teksa po fliste në gjuhën serbe

Përpjekja e tyre për të shpërthyer shtetin e Kosovës në pjesën veriore të vendit dështoi, tani ata duhet të paguajnë dhe të vuajnë për atë keqdashje dhe gabim”*.

(*Përkthimi i përdorur në tekst është marrë nga transkripta e plotë e pyetje/përgjigjeve të Kurtit në Bruksel e publikuar dhe përkthyer në uebsajtin zyrtar të Zyrës së Kryeministrit).

E një fjali e tillë bëri bujë nëpër mediat serbe, ku i pari do të deklarohej krimineli famëkeq i kërkuar nga autoritetet – por edhe në Listën e Zezë të ShBA’së dhe Britanisë – i cili lëshoi edhe kërcënim ndaj Kurtit për shkak të këtyre fjalëve.

Radojiçiq, i cili është në arrati tash e disa vite, tha se “Do të tregojë koha kush do të vuajë e kush do ta paguajë” ndërsa Kurtin e quajti “okupator”; por se “jo edhe për shumë kohë”.

"Në këtë rast, në dijeni që kërcënimet e juaja nuk janë naive sepse në periudhën paraprake ju keni dëshmuar shkaktimin e kaosit, nxitjen e konflikteve dhe urrejtjes, abuzimin e institucioneve dhe përndjekjen e serbëve pa asnjë dëshmi, dhe dua t'ju them se nuk na keni frikësuar as një pikë, as neve në Listën Serbe as popullin serb", shkruan Radojçiq.

Albin Kurti, ti si të gjithë okupuesit, mund të bësh ç’të duash por jo aq gjatë sa do ti”, ka shkruar Radojiçiq në një komunikatë që u botua në faqen zyrtare të Listës Serbe.

Për këtë deklarim të Kurtit, do të shkruante edhe Lista Serbe, për të kulmuar edhe me një deklarim të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq, në stilin e tij të kahershëm, u mëshoi ndërkombëtarëve që “po heshtin” ndaj deklarimit të Kurtit, që siç e përdredhë ai, “do t’i bëjë serbët të vuajnë”.

U shqeësova nga deklarimi i Albin Kurtit, që askush nuk duket ta ketë dëgjuar. Pretendojnë ata në perëndim kinse janë naivë dhe të mos e shohin saktësisht atë çfarë ka thënë Kurti. Po ta kisha thënë unë këtë, do të më varnin në Bruksel, Berlin dhe Uashington”, tha Aleksandar Vuçiq.

Kjo e tregon krejt hipokrizinë, por kjo s’është lajm. Po ta thoja unlë se shqiptarët duhet të vuajnë dhe ta paguajnë, mund ta merrni me mend se çfarë përgjigje do të merrja”, ka thënë Vuçiq”, siç e cituan mediat serbe.

Deklarimi i plotë i Kurtit pa shkëputje:

Pyetja: “A mendoni vërtetë që kryetari i komunës të qëndrojë në godinë gjithë ata muaj?

Kryeministri Kurti: “Kjo është pasojë e Listës serbe, e cila është dega e SNS-së në Kosovë, e cila me dorëheqjen e saj, një dorëheqje kolektive, donte të shpërthejë sistemin e shtetit të Kosovës, në pjesën veriore të Kosovës. Por kjo nuk ndodhi. Pra, përpjekja e tyre për të shpërthyer shtetin e Kosovës në pjesën veriore të vendit dështoi, tani ata duhet të paguajnë dhe të vuajnë për atë keqdashje dhe gabim”.

Përgjigja tjetër: Kryeministri Kurti: “Nuk jam as kryetar i veriut të Kosovës dhe as polic atje. Kosova është shtet demokratik, republikë e pavarur ku kemi shtet ligjor. Kjo do të thotë, kur ndodh ndonjë veprim i policisë, unë e shikoj atë në media, ashtu sikurse ju. Prokurorët, oficerët e policisë janë ata që veprojnë. Nga ana tjetër, ne nuk mund t’i detyrojmë kryetarët e bashkive të largohen nga puna. Ne duam që njerëzit atje të garojnë, të ‘luftojnë’, të jenë aktivë në politikë. Lista serbe bëri një gabim të madh nga ligësia kur fillimisht u largua nga sistemi dhe nga ana tjetër bojkotoi zgjedhjet. Tani, ne nuk mund të paguajmë për gabimin e tyre dhe të vuajmë, ata që gabojnë do të jenë ata që do të vuajnë. Tani dua që njerëzit të marrin pjesë në zgjedhje, në zgjedhje të reja, prandaj ekziston mundësia që 20% e elektoratit në një komunë të nënshkruajë një peticion dhe të fillojë një proces që do të përfundojë mandatin e atyre kryetarëve të komunave atje dhe i pranoj, nuk kanë legjitimitet të plotë, legjitimiteti i tyre është mjaft i dobët, por këta të tjerët nuk kanë legjitimitet fare, pra, ata që u larguan nga institucionet, bënë thirrje për bojkot, ngritën barrikada, bënë kontrabandë të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk munden tani të na hedhin hi syve, të na thonë që këta kryetarë komunash nuk do të ishin në ato institucione. Ata që integrohen jetojnë më mirë. Për shembull, serbët në pjesën jugore të Ibrit, ata jetojnë shumë më mirë sepse janë integruar. Edhe këtu në Bruksel jetojnë më mirë shqiptarët, serbët dhe të tjerët që janë integruar, ata që nuk integrohen jetojnë keq, por këta nuk duhet tani të kërkojnë që dikush tjetër të dënohet dhe të paguajë keqdashjen dhe gabimet politike”.

Lajme të ngjashme