DOKUMENT: Vetëvendosja s’përformoi siç deshi në diasporë, kërkon anulim të plotë dhe përsëritje të votimit
Me votat brenda vendit, Vetëvendosje mori 48 deputetë. U trumpetua shumë nga zyrtarë të tyre e militantë, se kur të numërohen votat e diasporës, partia e Kurtit do të shkoj në 51 deputetë, për të qeverisur vet. Ekspertët sugjeronin ndryshe; VV mbetet në 48 deputet ose maksimumi në 49. Pas numërimit të të gjitha votave nga diaspora, Vetëvendosje, mbeti në 48 deputetë. U nervozuan keq. Shanë të madh e të vogël në Facebook, dhe tash në fund duke përdorur mjetin juridik “ankesë”, po kërkojnë anulimin e plotë të votave me postë dhe përsëritje të votimit. Mërgatë a jeni gati?

Çka ndodhi?
Lëvizja Vetëvenodsje ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ku ka kërkuar hiç më pak se anulimin e plotë të votave me postë, si dhe përsëritje të votimeve. Në dokumentin që ka parë Gazeta Nacionale, Vetëvendosja ankohet sidomos në LDK-në, që sipas tyre morën shumë vota me postë nga mërgata, ndërsa pak në konsulata. Kjo sipas Vetëvendosjen përbënë bazë të dyshimt për procesin zgjedhor. Në ankesën e tyre përmendet edhe fakti se disa kandidatë u votuan shumë, sikurse Lumir Abdixhiku, Doarsa Kica-Xhelili, Hysen Çekaj e Gazmend Muhaxhiri. Andaj Vetëvendosja ka kërkuar që procesi të anulohet krejt, e të votohet sërish nga fillimi me postë.
“Prandaj duke e dituar (kështu shkruan në dokument, dituar për ditur) që në secilin fletëvotim të ardhur me postë ka pasur manipulime të tilla, është dëmtuar integriteti zgjedhor, është cenuar e drejta e votimit siç përcaktohet në Kushtetutë dhe Ligj, prandaj në bazë të nenit 120 të LZP-së, paragrafi 1 nënparagrafi 1.2, ndërlidhur me nenet 101 dhe 106 të LZP-së, kërkojmë nga PZAP që të ANULOJË rezultatet e votimit me postë dhe njëkohësisht ta URDHËROJË KQZ-në që të përsërisë votimin” – thuhet ndër të tjera aty.

Eugen Cakolli nga IKD ka komentuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje e cila po kërkon anulimin e tërësishëm të votimit jashtë vendit dhe përsëritjen e këtij procesi.
Sipas tij kjo çasje “all-in” e dëmton procesin. Duhet të ketë hetim të thelluar i targetuar vetëm mbi rastet konkrete të dyshuara për manipulim, ka thënë ai.
“Në vend të një qasje “all-in” që rrezikon të cenojë besimin në procesin zgjedhor, një hetim i thelluar dhe i targetuar vetëm mbi rastet konkrete të dyshuara për manipulim do të ishte një zgjidhje më e drejtë dhe më e qëndrueshme.” – ka shkruar Cakolli.
Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, sot serish është ankuar në votat që LDK-ja ka marrë në diasporë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se VV-ja kërkon hetim të plotë për të gjitha parregullsitë e raportuara.
“Është evidente skema që është përdorur nga votimi përmes postës në mërgatë. 400% më shumë vota për LDK-në, me vota shabllone për kandidatë të caktuar, ndërkohë që ekstremisht larg nga ky trend janë PDK e parti të tjera opozitare. Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon hetim të plotë për të gjitha parregullsitë e raportuara në mënyrë që të sigurohet një proces zgjedhor i pastër, i drejtë dhe i ndershëm. Sikurse, shkeljet dhe parregullsitë e evidentuara tashmë i kemi raportuar në polici dhe prokurori. Mbetemi në pritje të reagimeve konkrete dhe zyrtare nga institucionet përgjegjëse”, ka shkruar ai.
Tendenca e VV-së për zvarritjen e procesit zgjedhor është vërejtur edhe në mbledhjen e fundit të KQZ-së, e cila është mbajtur të enjën.