“Do të ketë probleme nëse nuk ndërrohet qeveria”: Çka tregojnë fjalët e Haradinajt nga Amerika pas takimit me Grenell?
Kryetari dhe kandidati për kryeministër nga AAK-ja, Ramush Haradinaj, po qëndron në Amerikë.
Ai atje po merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Në një deklaratë për RTV21, Haradinaj ka thënë se nëse në Kosovë nuk ndryshon qeveria, atëherë do të ketë probleme.
Haradinaj në një intervistë për RTV21, ka thënë se këtë javë pritet të vendoset agjenda e Kosovës në administratën e re të Trumpit.
“Besoj që është shumë e rëndësishme që jam këtu dhe po arrij të diskutoj me të zgjedhurit e administrates së re me kongresman, me njerëz që veç i kanë marrur përgjegjësitë. Besoj që në këtë javë do ta vendosim agjendën e Kosovës tek administrata e re e presidentit Trump dhe kjo administratë do ta ketë versionin tonë të zhvillimeve në rajon, që është i qartë për partneritet strategjik me Amerikën dhe marrëdhënien bilatorale strategjike të afërta dhe anëtarësim direkt në NATO”, tha Haradinaj.
Ndërkaq tutje ai thotë se nëse kjo qeveri nuk do të ndërrohet do të ketë vështirësi me administratën Trump.
“Ne duhet i kryejmë punët e shtëpisë, puna e parë është me mbrojtë qeverinë po nuk e ndërruam këtë qeveri do ta kemi vështirë me këtë administratë”, potencon Haradinaj.
Këtë deklaratë, Haradinaj e dha pas një takimi që pati me Richard Grenell.
Haradinaj tha se Ballkani dhe Kosova janë pjesë e angazhimit të Grenell.
“Në prag të ceremonisë së inaugurimit të Presidentit Trump, sot kam zhvilluar një takim pune me Richard Grenell, i Dërguar i Posaçëm Presidencial për Misione të Veçanta, i cili do të fillojë punën që nga nesër, ditën kur Donald Trump do të marrë detyrën e Presidentit të SHBA. Ballkani Perendimor, përfshirë Kosovën, janë pjesë e angazhimit të Ambasadorit Grenell në detyrën e re në administratën e dytë të Presidentit Trump. Me këtë rast, Ambasadorit Grenell, i rikonfirmova zotimin e Kosovës për rikthimin në marrëdhënie strategjike me SHBA, duke i nënvizuar synimin tonë kryesor, anëtarësimin direkt të Kosovës në NATO!”, ka shkruar Haradinaj në rrjete sociale.
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të hënën inaugurohet edhe zyrtarisht në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ai ka premtuar se do të veprojë me “shpejtësi dhe fuqi historike”, duke nënshkruar një varg urdhrash ekzekutivë, në shënjestër të të cilëve do të jenë migrimi i paligjshëm, të drejtat e transgjinorëve dhe prioritete të tjera të krahut të djathtë politik.
“Ne fituam, ne fituam” – deklaroi Trumpi të dielën gjatë rikthimit triumfues në Uashington, ku mbajti një “tubim të fitores” me mijëra mbështetës në një sallë sportesh në qendër të qytetit. “Çfarë ndjenje e mirë! Neve na pëlqen që të fitojmë, apo jo? Ne do ta bëjmë vendin tonë më të mrekullueshëm se kurrë më parë” – shtoi ai, raporton gazeta “The Guardian”.
Presidenti në ardhje mbajti një fjalim energjik, si zakonisht, me një përzierje mburrjesh, pretendimesh të rreme e premtimesh të gjera.
“Duke filluar nga nesër, unë do të veproj me shpejtësi dhe fuqi historike dhe do ta rregulloj secilën krizë me të cilën ballafaqohet vendi ynë” – premtoi miliarderi republikan, i cili në zgjedhjet e 5 nëntorit e mposhti bindshëm demokratin Joe Biden.
Trumpi gjithashtu e përsëriti zotimin e fushatës për ta filluar dëbimin më të madh të emigrantëve në historinë e ShBA-së, veprim me të cilin do të largoheshin mijëra njerëz nga vendi. Shkalla e këtij operacioni ndoshta do të marrë vite dhe do të ishte shumë e kushtueshme.
“Nesër, secili në këtë sallë shumë të madhe do të jetë shumë i lumtur me vendimin tim për pengjet J6. Shumë i lumtur. Unë mendoj se ju do të jeni shumë, shumë të lumtur” – tha Trumpi, duke iu referuar më shumë se 1.500 të dënuarve për sulmin e 6 janarit të vitit 2021 kundër Capitol-it, kur mbështetësit e tij ishin munduar që ta zhbënin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
“Nesër në mesditë, bie perdja e katër viteve të gjata të rënies amerikane dhe ne fillojmë një ditë tërësisht të re të fuqisë, mirëqenies, dinjitetit dhe krenarisë amerikane” – shtoi presidenti i zgjedhur.