Ditë e madhe për PDK-në: Memli Krasniqi më në fund “shkëlqen” në Kuvend përballë Albin Kurtit - NACIONALE

Ditë e madhe për PDK-në: Memli Krasniqi më në fund “shkëlqen” në Kuvend përballë Albin Kurtit

1 javë më parë

nga Mirlind Behluli

Është ditë e shënuar për opozitën kosovare në përgjithësi, e për PDK-në në veçanti. Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Memli Krasniqi, më në fund ka mbajtur një fjalim të mirë në Kuvend. Në fjalimin plot zell, e elegancë, Krasniqi ka kritikuar gjërë e gjatë qasjen e pushtetit karshi grevës së SBAShK-ut.

Duket se sondazhi i fundit, i publikuar ekskuzlivisht nga gazeta Nacionale, i ka bërë “hajr” z.Krasniqit. Duke parë rritjen e ngadalshme, gati krejtësisht të pavërejtshme të PDK-së në muajt e fundit, Krasniqi sot ka bërë një fjalim përmbajtësor.

Energjik, i logjikshëm, popullor e sarkastik – pak a shumë kështu mund të përkufizohet fjalimi dhe performanca e sotme e Krasniqit, i cili ofroi një kritikë interesante kundrejt mënyrës se si Qeveria Kurti po menaxhon me grevën.

Fjalimi i Krasniqit

Në fakt, Krasniqi fjalimin e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke e falënderuar Vasfije Krasniqin, të mbijetuarën e dhunës seksuale, e cila dha dorëheqje nga posti i deputetes për shkak të problemeve shëndetësore.

Ndonëse, në parti të ndryshme, Krasniqi e vlerësoi lartë ish-deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se prezenca e saj ishte një nder për Kuvendin e Kosovës.

Dëshiroj që ta shpreh konsideratën më të lartë për deputeten e deritanishme të Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi, e cila dje dha dorëheqje nga pozita si e zgjedhur e populli. Edhe në emrin tim personal, dëshiroj që t’i uroj shëndet, suksese në çdo aspekt të jetës dhe vërtet ka qenë nder për Kuvendin e Kosovës me pasë në mesin tonë një kolege, një grua të fuqishme si ajo”, tha Krasniqi.

Shefi i PDK-së, në fjalimin e tij, theksoi se logjika e Kurtit se të gjithë janë kundër tij, nuk është e pakuptimitë, duke insistuar se shefi i ekzekutivit është paranojak.

Po flasim për një situatë, kur krejt vendi, sistemi është në rrezik me u blloku. Kryeministri shkoi na Kuvendi, por para saj Kurti tha “se krejt kanë problem me të”. Qysh është e mundur që një kryeministër ta thonë një absurditet të tillë. Është akoma më e pakuptimtë për vetëm faktin se si është e mundur me të votu mbi 50 përqind populli më 14 shkurt, e qysh u bërën ata njerëz me ta pasë inati. Pse me pasë këso paranoja. Nuk janë krejt tu u marrë me Kurtin, por ai duhet me u marrë me krejt sepse e ka përgjegjësi”, tha Krasniqi.

Ai e përkufizoi situatën me greva si shqetësuese, pasi që mijëra punëtorë janë duke grevuar.

Sot po e vazhdojmë diskutimin e nisur para një jave. Ne po flasim për grevat e mësimdhënësve, por në grevë janë edhe shërbyesit civilë, edhe administrata në universitetet. Nuk është problemi vetëm me arsimin. Janë edhe dhjetëra, mijëra punëtorë të tjerë që janë duke grevuar. Ka pasur greva, apo paralajmërime edhe në sektorin e shëndetësisë.”, vlerësoi z.Krasniqi.

Ai kritikoi edhe logjikën “të gjithë kundër meje” të Kurtit, duke thënë se jo të gjithë merren me të.

Nuk janë tu u marrë krejt me Albin Kurtin, po Albin Kurti duhet me u marrë me krejt. Me shërbyesit civil, artistat e me krejt duhet me u marrë se është kryeministër i vendit. Kurti mendon që krejt mendojnë për ta, ama njerëzit i kanë telashet e veta. Prindërit nuk janë tu e dijtë ku me i lanë fëmijët pasi që s’ka shkolla”, tha Krasniqi.

I pari i PDK-së u shfaq edhe sarkastik me Kurtin, duke iu referuar si njeri, pasi që termi vëlla sipas tij nuk po i pëlqen Kurtit.

Livrit bre pak, se s’po i thona o vëlla, se po nervozohet. Lëviz o njeri, se s’po ke qef me të thanë vëlla, o njeri, livrit pak, bëni dy hapa, ofro diçka, jo veç qysh thu ti, sepse kjo është arrogancë.”, vazhdoi z.Krasniqi.

E satirën e tij, i pari i PDK-së e vazhdoi në llogari të deputetëve të VV-së, disa prej të cilëve, sipas Krasniqit, s'po i njeh as "regjia e Kuvendit".

Në fund të fjalimit, Krasniqi i kërkoi Kurtit dhe Qeverisë së tij që të dialogojnë me grevistët.

Duhet me mendu për qata njerëz, për qata fëmijë, duhet me mendu për prindër si qytetarë të Kosovës, e s’është e mundur o kryeministër, në qofsh duke na dëgju, kudo qofsh, me qenë krejt kundër teje qysh erdhe me na thënë këtu, se s’janë…Qata mësuesa të kanë votu edhe ty, më shumë sesa krejt neve bashkë”, deklaroi ai.

Krasniqi përmendi edhe mos shkuarjen e Kurtit në Rahovec e Gjakovë, qytete që u përballën me shumë vërshime gjatë javës së kaluar. Por, të gjitha këto kritika nuk i dëgjoi z.Kurti, i cili nuk ishte prezent gjersa Krasniqi po fliste në foltoren e "Shtëpisë së Popullit".

Lajme të ngjashme