DITA 15: S'ka masa nga Bordi për raportimin skandaloz të RTK-së kundër Nacionales
15 ditë kanë kaluar dhe ende nuk kemi asnjë masë nga Bordi i Radiotelevizonit të Kosovës (RTK) lidhur me raportimin skandaloz, ku sulmohej gazeta Nacionale. Anipse ishin premtuar masa ndëshkuese, deri më tani Bordi ka heshtur dhe nuk ka marrë ndonjë vendim. Ndërsa, tash e 15 ditë në punë del edhe drejtori i Televizonit, Rilind Gërvalla, që ishte inicues i lajmit.
RTK-ja në portal dhe në televizion, transmetoi një lajm nga një portal boshnjak, duke pretenduar se dy media të Kosovës financohen nga Serbia.
Artikulli në portalin e RTK-së përmendte me emër mediat, e më pas u editua dhe emrat u larguan. Kurse, në lajmet qendrore u dha jehonë se si dy portale paguhen nga presidenti i Serbisë.
Bordit i RTK-së, u mblodh për këtë çështje dhe premtuan që do të ketë masa, ndërsa punën po vazhdon pa pengesë drejtori i televizoni dhe anëtari i VV-së, Rilind Gërvalla, i cili në çdo mënyrë ka mbrojtur raportimin e RTK-së.
“U.d drejtoresha ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së” – thuhej në komunikatën e Bordit të RTK-së.
Në anën tjetër, në brenda RTK-së pati reagime të shumta, pasi disa redaktorë e gazetarë u distancuan nga raportimi i rremë. Gjithashtu dorëheqje dha U.D Drejtoresha, Zana Spahiu, reagoi redaktori i edicionit, Jeton Musliu e per raportimin nuk tha asgjë u.d kryeredaktorja e RTK-së, Leonora Bërbatovci.
Ndërkohë, Nacionale publiko edhe bisedat në të cilat kërkohej që të mos bëhen reagime në mënyrë që të harrohet skandali.
Pas publikimit të lajmit skandaloz, RTK-ja është kritikuar me të madhe nga organizata të huaja e vendore, nga gazetarë e analistë të cilët thonë se RTK-ja është e kapur nga pushtetit.
Organizatat joqeveritare dhe aktivistët kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të RTK-së pas raportimit skandaloz për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.
“Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre.” – thuhej në reagimin e tyre.
Gjithashtu, edhe organizata ndërkombëtare “Safe Journalist” ka reaguar ashpër pas sulmeve nga pushteti ndaj Nacionale dhe Periskopit.
“Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën e shpifjeve të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe shpërndarjen e “lajmeve” të tilla që sulmojnë mediat tjera në Transmetuesin Publik të Kosovës RTK. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë shpifëse dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza. Për më tepër, ne inkurajojmë mediat e prekura që të ndjekin veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave të tilla të rënda, duke përfshirë burimet kryesore që qëndrojnë pas tyre” – thuhej në reagimin e tyre.
Kujtojmë se raportimi i RTK-së ishte sulm i pashembullt ndaj mediave dhe që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.