"Dinjitetshëm": Deputetët konservatorë të VV-së kundër Nagavcit, MASHTI-t i dështojnë tri ligje në Kuvend
Një fotografi e mbrëmshme e tre deputetëve konservatorë të VV-së, duket se ishte përgjigje për ministren e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. Në fakt, më shumë se përgjigje, i ngjante një mesazhi politik, e deri diku edhe të një festeje. Eman Rrahmani e publikoi një fotografi bashkë me Gramos Agushollin e Visar Korenicës pak minuta pasi përfundoi seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës për këtë vit.
Pasi përfunduan fotografinë e përbashkët me kolegët e tjerë, këta tre deputetë u fotografuan bashkë më në qoshe. Mbishkrimi i fotografisë ishte interesant.
“Dinjitetshëm deri në fund...!” – ishte mbishkrimi që përzgjodhi Rrahmani për këtë fotografi, që deri tani ka marrë 681 pëlqime.
Sigursht, për të kuptuar më mirë këtë postim të tre deputetëve të VV-së, duhet pak kontekst. Që nga shtatori i këtij viti, Rrahmani e Korenica u “revoltuan” kundrejt Nagavcit, duke deklaruar publikisht se nuk do të votonin asnjë nismë ligjore nga MASHT-i. Aryseja? Deputetët konservatorë kërkojnë largimin e udhëzimit administrative të MASHTI-t që ndalon uniformat fetare në shkollat publike.
Një gjë të tillë e kundërshton Nagavci. Por në seancën e fundit, duket se Nagavci ra “viktimë” e këtij “revoltimi” të deputetëve konservatorë të VV-së. Tri ligje të MASHTI-it, pra të inicuara nga Nagavci, nuk kaluan në Kuvendin e Kosovës, ndonëse aty kaluan disa ligje, përfshirë ai për Fondin Sovran.
Më saktësisht, MASHTI-t i dështuan ligji për tekstet shkollore, votimi për emërimin e tre anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe shqyrtimi për Programin Kombëtar të Shkencës. Dy nismat e para të MASHTI-t, ka disa muaj që nuk janë votuar.
Në një përgjigje për Nacionalen, Rrahmani e ka rithkesuar se ata do të vazhdojnë të mos i votojnë nismat ligjore të MASHTI-t. Tutje, ai ka përsëritur kërkesën për largimin e udhëzimit administrativ, i cili, sipas Rrahmanit, po keqpërdoret nga drejtorët e shkollave.
“Që nga muaji shtator kur kemi deklaruar se nuk do të votojmë asnjë ligj që vie nga kjo ministri, pa u larguar udhëzimi administrativ i jashtë ligjshëm, i cili po keqpërdoret nga drejtor të shkollave për t’i penguar vajzat në vijimin e shkollimit.
Tri ligje nga kjo ministri deri tani nuk kanë gjetë mbështetjen tonë dhe nuk do të gjejnë deri sa të ndryshon UA” – deklaroi Rrahmani për Nacionalen.
Kujtojmë që vitin e kaluar kishte një kampanjë në rrjete sociale, përmes sëcilës u kërkua largimi i udhëzimit administrativ. Atëbotë, kryeministri Kurti e kishte përsëritur se është për lejimin e shamive nga mosha 16-vjeçare.
“MAShTI është duke e përcjell me vëmendje shqetësimin që disa qytetarë e kanë nisur këtë udhëzim administrativ, dhe ne shumë shpejtë do ta sjellim udhëzimin administrativ për komunitete dhe unë e kam thënë se nuk duhet të ketë ndalesa e duhet të jenë të lirë të vendosin. Pra pragu duhet të jetë 16 vjeçar, pas kësaj moshe duhet të vendos vetvetiu” – deklaronte Kurti.