Dialogu Kosovë – Serbi tash 'në këmbë të veta' dhe 'zbatimi më urgjent se kurrë': Sorenseni jep porositë pas vizitës
“Alive and kicking (shëndosh dhe në këmbë të veta)”, ishin fjalët që Emisari danez i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, i tha për gazetarët pyetur për procesin me të dalë nga Zyra e Kryeministrit, ku vazhdon të qëndrojë ende Albin Kurti, tash ligjërisht veç deputet i Kuvendit të Kosovës. Më shumë hollësi nuk ndau dhe udhë mori për takim edhe me liderë të partive të tjera politike.
Në fund të ditës Sorensen i bëri një përmbledhje në “X” të krejt takimeve të tij dhe përkufizoi porosinë që e la në serinë e takimeve të tij: se Marrëveshja e Ohrit është e gjallë dhe se zbatimi i saj “tash, më urgjent se kurrë”.
“Vizitë produktive sot në Kosovë. Në të gjitha takimet që pata, theksova nevojën urgjente për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, tash më shunë se kurrë. Rruga për integrimin në Bashkimin Evropian shkon përmes përparimin kuptimplotë në dialog. Koha për të shkuar para”, shkroi Sorensen.
Productive visit to Kosovo today. In all my meetings, I emphasized the urgent need to implement the Ohrid Agreement, now more than ever.
— EUSR for Belgrade-Pristina Dialogue (@EUSR_Dialogue) August 6, 2025
The path to 🇪🇺 integration runs through meaningful progress in the Dialogue. Time to move forward. pic.twitter.com/w8wKo1QTji
Deputeti Albin Kurti në anën tjetër u lajmërua përmes një komunikate për shtyp të lëshuar në ZKM ku kërkoi “zbatim të plotë” të Marrëveshjes Bazike – sërish duke mos i përfshirë tre kushtet e supozuara të tij pa të cilat s’do të kishte dialog, e që supozohet të jenë: dorëzimi apo ekstradimi i Radojçiqit, tërheqja e një letre të Ana Brnabiq në dhjetor të 2023’ës në Bruksel si dhe nënshkrimi bilateral i Marrëveshjes së Ohrit.
Kurti tash shkroi: “Në takim u diskutua për zhvillimet në vend, për gjendjen e komuniteteve joshumicë, në veçanti të komunitetit joshumicë serb, dhe për rrugën drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit”.
“Në anën tjetër, kryeministri ngriti shqetësimin e tij me emisarin Sørensen në lidhje me deklaratat e vazhdueshme kërcënuese të krerëve të Serbisë ndaj Kosovës dhe arrestimet arbitrate të qytetarëve të Republikës së Kosovës gjatë udhëtimit tranzit përmes Serbisë nga autoritetet serbe, ndaj të cilëve kërkoi reagim të zëshëm dhe dënues nga komuniteti ndërkombëtar”, u tha mes tjera në komunikatë.
Në anën tjetër Serbia ka pasur akuza – e deri në fyerje – ndaj Bashkimit Evropian si ndërmjetësues dhe garantues i procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ku nga Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq e deri te Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kanë akuzuar për “mashtrim” rreth Marrëveshjes së Brukselit.
Procesi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit ka mbetur në mosprocedimin e draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, çka BE, që nga Miroslav Lajçaku dhe mbështetësit amerikanë të procesit, e kanë quajtur hapi i domosdoshëm i radhës. Madje saktësisht për të njëjtën gjë ishte hequr nga procesi anëtarësimi i Kosovës për në Këshillin e Evropës.
Ndonëse fillimisht Albin Kurti, kur ishte kryeministër i vendit, e kishte pranuar tekstin si plotësisht në përputhje “me germën dhe frymën” e Kushtetutës së Kosovës, ai muaj më vonë kishte ndërruar mendje.