Dështimi në Bruksel mund t`i kushtojë Kosovës: Përmendet shtrëngimi i sanksioneve
Përfundimi i takimit të djeshme në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksander Vuçiq pa ndonjë rezultat ka shuar shpresat se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen.
Madje, refuzimi që Kurti i ka bërë propozimit të BE-së për kompromis, po konsiderohet si veprim që mund t`i ashpërsojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Shtrëngimi e masave nuk e kanë përjashtuar as përfaqësuesit e BE-së dhe as njohësit e rrethanave politike në vend.
Analisti Visar Ymneri ka bërë me dije se tani edhe vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE mund të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës.
“Nesër a pasnesër ti ki me pasë vështirësi ndoshta në qarkullimin edhe rajonal si qytetar i Republikës së Kosovës. Nëse sanksionet shkojnë tu u shtu e jo tu u hjek, vendet aspirantë në BE kanë më ia nis me i bo politikat e tyre jashtme sikur që i ka BE-ja. Mos e harroni këtë gjë. Sanksione që i kemi na tash, për të cilat presidentja dhe kryeministri po thonë se na kanë goditur shumë, janë veç hapi i parë dhe janë goxha të lehta, në krahasim më atë që munden me të ardhë”, ka thënë Ymeri në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit.
Ai ka vlerësuar se sanksionet e mundshme shtesë do të ia vështirësojnë jetën Kosovës.
“Kosova nuk mundet me mbijetu nën këto sanksione, mos e harroni këtë gjë. Tash me e rreziku krejt procesin për shkak të një vullneti që është goxha egoist i Albin Kurti”, është shprehur ai.
Edhe zëdhënës për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së, Peter Stano, ka përmendur mundësinë e shtimit të sanksioneve ndaj Kosovës.
“Masat do të jenë aty për aq sa vlerësohet. Ato mund të lehtësohen, por edhe të shtrëngohen.”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Zyrtari i BE-së ka bërë me dije se ende ka potencial për eskalim të situatës në veri.
“Ka ende potencial për eskalim. Masat mund të kenë sukses për shtensionim. Masat ndaj Kosovës janë të përkohshme, të vendosura nga vendet anëtare që sipas tyre nuk duhet përdorur vetëm karotën por edhe shkopin.”, është shprehur Stano.
Ndërsa, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka bërë me dije se në ditët në vijim Kosova do të njoftohet me “dhuratat” që do t`i servohen nga ShBA-ja dhe BE-ja.
“Pas "fitores" se madhe sot në Bruksel, ditët në vijim do të shohim së cilat janë "dhuratat" që do na servohen nga Uashingtoni dhe Brukseli!”, ka shkruar Miftaraj në profilin e tij në “Facebook”.
Opozita e shqetësuar
Me veprimet e fundit të Kurtit në Bruksel është shqetësuar edhe opozita.
Liderët e opozitës kanë vlerësuar se në fund të gjitha pasojat do t`i bart Kosova.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se refuzimet e Kurtit janë të rrezikshme.
“Në këtë situatë - të qëndrimit refuzues si pasojë e pranimit paraprak, Kryeministri Kurti e ka futur veten vet. Askush nuk e ka detyruar të pranoj marrëveshjen dhe aneksin e saj të zbatimit, nëse ka qenë i bindur se ato janë të dëmshme. Tash, pasi e ka kuptuar se ka gabuar, ka vendosur të bëjë lojëra fjalësh dhe hapa mbrapa. Fatkeqësisht, ky ndryshim i qëndrimit nuk do t’i kushtojë atij, por Kosovës. Kosova dhe qytetarët e saj nuk i kanë borxh asgjë Kryeministrit Kurti – aq më pak sanksionet të cilat tashmë po i vuajmë dhe të tjera që janë paralajmëruar”, ka shkruar Krasniqi.
Edhe më i ashpër ka qenë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se shefi i ekzekutivit duhet të reflektojë dhe të largohet nga ai post.
“Situata e krijuar pas dështimit të djeshëm në Bruksel, me tendencë të thellimit të krizës, me pasoja të rënda për popullin e Kosovës, kërkojnë reflektim urgjent nga Kurti dhe qeveria e tij. Ai duhet të dorëhiqet dhe ta kthejë mandatin te populli. Këtë veprim duhet ta bëjë edhe nëse ai mendon se është në rrugë të drejtë. Ai obligohet ta pyes popullin se çka mendon për veprimet e tij. Në demokraci zgjedhjet janë përgjigja më e mirë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.
Të enjten është mbajtur rundi i radhës i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky takim nuk ka prodhuar asnjë rezultat.
Pas takimit, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se propozimi i tij, i cili parashihte që implementimi të shkojë paralelisht, është refuzuar nga kryeministri Albin Kurti. Propozimi, sipas tij, është pranuar nga Aleksader Vuçiq.