Dërgimi i ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, pushteti e opozita vazhdojnë të hahen mes vete - NACIONALE

Dërgimi i ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, pushteti e opozita vazhdojnë të hahen mes vete

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tash e sa kohë kryeministri e ministrat e Qeverisë Kurti si dhe zyrtarë të Vetëvendosje, po vazhdojnë me kritika të ashpëra për partitë opozitare për dërgimin e disa ligjeve në Gjykatën Kushtetuese. Që nga dërgimi i tyre këto përplasje pushtet-opozitë po vazhdojnë e ato po bëhen bile edhe më të rënda.

Vetëvendosje përmes disa reagimeve të bëra gjatë ditëve të fundit, ka akuzar opozitën që po “sabotojnë” dhe “luftojnë” reformën e Qeverisë së Kosovë.

Janë pesë ligje që mbahen të bllokuara nga Gjykata Kushtetuese: Ligji për çmimet tavan (dërguar nga LDK) Ligji për pagën minimale (dërguar nga AAK) Ligji për faljen e tatimit në pronë (dërguar nga PDK) Ligji për byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme (dërguar nga PDK)” – ka renditur VV-ja ligjet dhe partitë që i kanë dërguar ato në Kushtetuese.

Tutje, sipas VV-së, opozita “e ka në dorë” Gjykatën Kushtetuese.

Një mori ligjesh që prekin direkt jetën dhe mirëqenien e qytetarëve janë dërguar muaj më parë në Gjykatë Kushtetuese nga partitë opozitare. Ato ende mbesin të bllokuara. Opozita që po përdorë secilin mekanizëm që ende e ka në dorë për të sabotuar e luftuar reformën e nisur me 14 shkurt 2021 nuk do të arrijë të ndali ndryshimin që ka nisur e po merr jetë në Republikën e Kosovës. Askush nuk do të mund të bllokojë vullnetin e popullit për ndryshim.” – thuhet në reagimin e VV-së.

Përveç faqes zyrtare të VV-së, edhe ministri Hekuran Murati, ditë më parë ka sulmuar opozitën bash për këtë punë.

Mirëpo, as opozita nuk ka qëndruar duarkryq, pasi menjëherë janë angazhuar për t’u kundërpërgjigur ndaj sulmeve të pushtetit.

Opozita i përgjigjet

Opozita cilëson se dërgimi i ligjeve në Gjykatën Kushtetuese është i pashmangshëm pasi ligjet pretendohet se janë anti-kushtetuese.

Koordinatori i PDK-së për Financa, Arben Mustafa në rrjetin social Facebook ka përmendur ligjet që janë dërguar në Kushtetuese dhe ka treguar se cili është qëllimi i pushtetit.

Ai ka thënë se me Ligjin për Tatimin në pronë, Qeveria ia ka dyfishuar faturën e tatimit në pronë, me Ligjin për Çmimet Tavan sipas Mustafës, qeveria po “mundohen t’i hedhin “hi në sy” qytetarëve se kinse po bëjnë diçka për ta kontrolluar rritjen e çmimeve”, ndërsa me Ligjin për Pagën minimale, qeveria ka përjashtuar veteranët e UÇK-së.

Ministri i Financave sot qenka i shqetësuar për tri ligje që janë në Gjykatën Kushtetuese, gjegjësisht: - Për ligjin mbi tatimin në pronë, me të cilin ua ka dyfishuar faturën e tatimit në pronë qytetarëve të Kosovës e pastaj është munduar që këtë veprim ta kamuflojë me mundësinë e faljes së 100 eurove nga buxhetet e komunave. - Për ligjin e çmimeve tavan, përmes të cilit po mundohen t’i hedhin “hi në sy” qytetarëve se kinse po bëjnë diçka për ta kontrolluar rritjen e çmimeve, por që edhe vetë e dinë se kjo nuk çon askund. - Për ligjin për pagën minimale, me të cilin në mënyrën më të paskrupullt i kanë përjashtuar nga rritja veteranët e UÇK-së në këtë kohë të vështirë të rritjes së madhe të çmimeve.” – ka shkruar Mustafa në Facebook, duke shtuar se qeveria duhet të punojë dhe ta lë propagandën.

Ndërkohë, Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, i është përgjigjur Vetëvendosjes për akuzuat që po bëhen nga ta për dërgimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo ka përmendur Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Kica-Xhelili ia ka rikujtuar VV-së edhe ligjet e tjera, që sipas saj, VV-ja nuk lejohet që të shantazhojë prokurorinë dhe as shkatrrojë administratën publike.

VV paska vendosur një poster si akuzë që kemi dërguar një ligj në Gjykatë Kushtetuese! Thash t’iu tregoj që i keni harruar edhe dy: Atë për Këshillin Prokurorial, që nuk lejon ta shantazhoni prokurorinë; dhe Atë për zyrtarë publik, që nuk lejon ta shkatërroni administratën publike. Rrnoftë kushtetutshmëria!” – ka shkruar ajo në Facebook.

Lajme të ngjashme