Departamenti i Shtetit “do të vazhdojë të peshojë” veprimet e Albin Kurtit: “Deri tash s’kemi çka të shtojmë”
Ngrirja për kohë të pacaktuar e “Dialogut Strategjik” shënoi një goditje të rëndë ndaj Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – aleatit parësor të Kosovës në botë.
“Deri më tash nuk kemi diçka më tepër për të njoftuar”, thanë nga Departamenti amerikan i Shtetit në një përgjigje me shkrim për Nacionale, pyetur se “çka tash?”.
Veprimet e “qeverisë kujdestare”, na thanë nga DASh, “ne do të vazhdojmë t’i peshojmë”.
Por, nga Departamenti i Shtetit, partneriteti u frazua në atë që tash e dy vite është bërë normë: “partneritet me popullin e Kosovës”.
Ndërsa për qeverinë kujdestare, thanë kështu:
“Na duhet dikush që e mer vesh nevojën për të shmangur destabilitetin dhe që është i dedikuar për të çuar para stabilitetin rajonal dhe të ruajë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës”
“Do të vazhdojmë të peshojmë veprimet e qeverisë kujdestare. Nuk kemi diçka më tepër për të shtuar në këtë kohë”, thanë nga DASh.
Goditja e ShBA-së
Për muaj rresht Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka çuar porosi qeverisë në detyrë që udhëhiqet nga Albin Kurti, për të mos bllokuar parti serbe të marrin pjesë në zgjedhje, të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe t’i qëndrojë kushtetuetshmërisë së vendit në planin multi-etnik.
Ndërkaq, ditë më parë, njoftoi se kanë suspenduar “Dialogn Strategjik” duke e përcaktuar ‘fajësinë’ e kësaj ndërprerje në një emër të përvetshëm: Albin Kurti.
Jo nga pak kush kjo u pa edhe si praktikisht shpallje “non grata” e Albin Kurtit në kuptimin implicit të fjalës.
Veprimet e Albin Kurtit, u tha në njoftimin e ambasadës, kanë rritur tensionte dhe destabilitetin, si dhe kanë “kufizuar aftësinë” e ShBA-së për të punuar me Kosovën.
Reagimi i Qeverisë në detyrë
Nga Qeveria në detyrë u lajmërua Përparim Kryeziu, i cili brendarreshtash goditi ShBA-në se kërkon “stabilitet të rrejshëm”.
Po ashtu Luan Dalipi, Shef i Zyrës së Kryeministrit (pa mandat), akuzoi ShBA-në se po dëshiron “stabilokraci” dhe se kërkesat e ShBA-së “nuk i shërbejnë sundimit të ligjit dhe paqes”.
Nga Vetëvendosje, Armend Muja, shkroi se në fund të fundit “kështu na konvenon”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në stilin as/as edhe/edhe, duke iu shmangur konfrontimit me Qeverinë në detyrë të Kosovës, dhe duke shkruar në gjuhë abstrakte rëndësinë e partneritetit me ShBA-në.