Demantim po, shpjegim jo – Largimi me kollaj i Radojçiqit maleve kthehet sërish temë në vend
Se terroristët ikën lirshëm e me kollaj maleve kjo vështirë se mund të demantohet.
Sepse pamjet nga droni ku tridhjetë-e-kusur prej sulmuesve paraushtarakë të Banjskës marrin malin dhe kalojnë për në Serbi janë autentike dhe të asaj dite.
Megjithatë, ditëve të fundit u kthye në diskurs një nga krye-pyetjet që ishin ngritur atë ditë: Kush dhe pse u lanë të ikin terroristët e Radojçiqit nga territori i Kosovës?
Këto pyetje bartnin fuqi argumentative me vete duke qenë se mëngjesin e asaj dite të sulmit ishte vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili në një konferencë për media njoftonte se perimetri i vendndodhjes së sulmuesve ishte rrethuar e siguruar.
Në një tablo thuajse suntzuiane 30-e-kusur sulmuesit ishin inferiorë për nga numrat (por, jo edhe për nga artileria) dhe në rrethojë 360 shkallëshe.
Ato ditë ishte konsekuencë logjike të shtrohej pyetje: Pse? Si? Çka? Në ç’mënyrë ikën sulmuesit që lanë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku; e që, për më tepër, institucionet e sigurisë konstatuan dhe pretenduan se kanë fakte se u synua “Aneksimi i plotë i veriut” dhe ndërtimi/vendosja “e sulmit prej 37 pozicioneve”.
Tre javë më parë ishte BBC-ja ajo që e rroku mu këtë segment kur kryeministrit kosovar ia shtruan pyetjen: “Ju vetë i kishit rrethuar terroristët, por pse i latë të iknin?”.
Kurti i tha BBC-së kështu: “Perimetrin e kishin tejet të gjatë e të madh” dhe se arsyeja që ata ia dolën mbanë t’ia mbathnin “ishte çmimi që paguam ne për shkak se s’deshëm që asnjë nga plumat tonë të binin mbi muret e manastirit ortodoks serb”.
“Ia dolëm të eliminojmë tre terroristë por pasojat ishin që dhjetëra prej tyre ia dolën të na iknin; ndërsa sot ata janë në Serbi”.
Sveçla – ato ditë pyetur nga gazetarja e Nacionales Anita Nikaj se “a ka pasur negocim?” për lejimin/largimin e terroristëve – ishte shprehur se “absolutisht nuk kishte pasur kurrëfarë negocimi me askënd”.
Para tre muajsh raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave dha një shëmbëlltyrë prej prapaskenave, sipas tyre, se çka kishte ndodhur.
KFOR-i, thanë ata, duke u brengosur se mos situata përkthehej në “gjakderdhje” ndërrmori inicitivë negocimi – ndonëse nuk e specifikua me kënd – për tërheqjen e terroristëve nga pyjet e për të kaluar për në Serbi.
“Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, në të cilat ata u zhdukën (ICG, 2024)”, thuhet në raport.
“Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra luftëtarë të tjerë ishin fshehur në pyjet midis Banjskës dhe kufirit serb...(ICG, 2024)”.
Ndonëse raporti është publik qe më shumë se tre muaj, vetëm ditëve të fundit kjo pjesë u morr dhe u përfshi në një draft-raport i cili pritet të miratohet në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Këtu edhe ndodhi rikthimi si temë i këtij “negocimi” që gjithkush e paramendon por askush përveç ICG-së s’e kishte pohuar.
Me këtë pohim, erdhi menjëherë të nesërmen ‘mohimi’ i KFOR-it, ku thanë se “negocimi i supozuar nuk ka ndodhur në asnjë rrethanë” dhe se pjesa e raportit të ICG-së që i referohet kësaj “është i pasaktë”.
“Në rrëfimin e tij për dhunën që ndodhi në Banjska në shtator 2023, raporti thotë se: ‘Duke pasur frikë nga një gjakderdhje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit [luftëtarëve serbë] në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë’. Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”.
Edhe avokati i Radojçiqit, Goran Petronijeviq reagoi duke e quajtur “gënjeshtër të ndytë” raportin e ICG-së teksa tha se “synimi është njollosja e Radojçiqit”.
“Ne i hedhim poshtë këto gënjeshtra siç janë trillime të pastra dhe them se klienti im dhe shokët e tij nuk kanë negociuar me askënd, as me KFOR-in”
Me të dalë ky ‘demantim’ i KFOR-it, zyrtarë të Vetëvendosjes, të cilët u gjetën përballë kësaj teme të rikthyer në diskursin publik nxituan ta shpërndajnë në Facebook deklaratën e KFOR-it se “nuk ka pasur negocim” për lejimin e pretenduar për t’u larguar të terroristëve.
Gazetari Lirim Mehmetaj në dritën e kësaj shtroi pyetjen: “Çka tash që u dëshmua që kanë mashtru dhe kanë hy në pazare me vrarësist e Afrim Bunjakut”.
Edhe gazetari Ilir Mirena që kishte qenë prej të parëve më vokalë në ngritjene kësaj pyetje të natyrshme që nga 25 shtatori iu kthye sërish. “Pra po i bjen që nëse s’ka negociu KFOR-i paska negocu qeveruia e Kosovës”.
“Kush dreqin e la bandën e Radojçiqit me u largu si zotni prej aty”, shtroi pyetjen në formë të konkluzionit Ilir Mirena.