Deklarata skandaloze e ministres serbe për spastrim etnik të shqiptarëve trondit rajonin: Kërkohet dënim i ashpër nga BE
Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç për spastrimin etnik të shqiptarëve ka nxitur reagime të ashpra në rajon.
Pretendimi i Paunoviç se po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998 do ta spastronte etnikisht Kosovën është dënuar ashpër nga zyrtarët e lartë të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Derisa Kosova e ka shpallur nongrata, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar reagimin e BE-së.
“Një ministër i Qeverisë së Serbisë ka bërë thirrje publikisht për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. Një retorikë e tillë glorifikon krimet e luftës, kërcënon stabilitetin rajonal dhe është krejtësisht e papajtueshme me vlerat evropiane, si dhe me të ardhmen evropiane”, ka deklaruar Konjufca.
Kryediplomati shkroi se institucionet evropiane duhet të reagojnë qartë dhe në nivelin më të lartë ndaj një gjuhe të tillë.
“Heshtja nuk është opsion. As përgjigjet e dobëta”, ka shkruar ai.
Konjufca ka kërkuar që sjellja e zyrtarëve serbë të ketë ndikim edhe në rrugën integruese të Serbisë.
“Nivelet më të larta të udhëheqjes së BE-së duhet të reagojnë me një dënim të qartë publik, t’ia rikujtojnë Serbisë detyrimet e saj dhe të sigurojnë që një sjellje e tillë të ketë pasoja në procesin e saj të anëtarësimit”, ka deklaruar ai.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë, një shoqërie shumetnike, pajtimit të bazuar në të vërtetën dhe drejtësinë, si dhe të ardhmes evropiane. Edhe Serbia duhet ta zgjedhë këtë rrugë”, ka përfunduar Konjufca.
Edhe diplomacia shqiptare e ka dënuar një deklaratë të tillë.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka vlerësuar se normalizimi dhe relativizimi i një prej krimeve të luftës është tronditës dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës.
“Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, krime të dënuara nga historia, nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga vetë ndërgjegjja njerëzore, bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e sotme. Ato minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dhe rihapin plagë që ende nuk janë shëruar”, ka shkruar, ndër të tjera, Hoxha në reagimin e tij.
Edhe ish-ministri i Jashtëm e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka theksuar se kjo është një nga deklaratat më të rënda që ka dëgjuar nga një zyrtar shtetëror në vitet e fundit.
“Ajo nuk është thjesht ofenduese ndaj viktimave të luftës dhe familjeve të tyre. Është glorifikim i një politike gjenocidale dhe shprehje e pendesës që spastrimi etnik i Kosovës nuk u realizua deri në fund. Për një deklaratë të tillë, në çdo demokraci serioze, pasojnë shkarkimi dhe dënimi publik. Por më së paku mund të mbajnë ligjërata për këtë çështje ata që për dy vjet qeverisin krah për krah dhe vetëm para 24 ore e rikonfirmuan Ivan Stoilkoviqin – njeriun që e quajti gjenocidin e Srebrenicës “Diznilend nekrofil”, që vazhdimisht promovon politikat e Millosheviçit dhe projektin e “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut. Ata e bënë ministër, i dhanë legjitimitet politik dhe, bashkë me të, hapën derën për forcimin e ndikimit të Beogradit në institucionet tona”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Kurse, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka shpallur “persona non grata” ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezana Paunoviq.
Sipas Sveçlës, vendimi përfshin ndalim të përhershëm të hyrjes ose të kalimit transit të Paunoviqit nëpër territorin e Republikës së Kosovës.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović kam shpallur persona non grata, të padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.