Shtyhet në mënyrë të heshtur faza e gjobitjes për targa ilegale nga Policia e Kosovës - NACIONALE

Shtyhet në mënyrë të heshtur faza e gjobitjes për targa ilegale nga Policia e Kosovës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në mënyrë të heshtur dhe pa asnjë shpjegim, Policia e Kosovës që i përgjigjet ministrit Xhelal Sveçla ka lëshuar një komunikatë në të cilën bën të ditur se prej datës 22 nëntor do të fillojë gjobitjen e qytetarëve serbë me targa ilegale, dhe jo prej ditës së nesërme siç ishte paralajmëruar më herët (21 nëntor).

Kryeministri Kurti në mënyrë eksplicite e kishte thënë se faza e qortimit do të niste më 1 nëntor dhe do të zgjaste deri më 21 nëntor.

Por, duket se Policia e Kosovës – nuk dihet nëse është dhënë leje për këtë çështje nga ministria e Mbrojtjes apo Kryeministria – ka gjetur hapësirë për të riinterpretuar këtë çështje.

“Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) nëntor deri me datë njëzet e një (21) Janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi.” - tha Policia e Kosovës sot.

Fjalë tjera më herët

“...nga data njëzet e një (21) nëntor deri me datë njëzet e një (21) janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi.” – thuhej më 31 tetor.

Por, tash del se shqiptimi i gjobave do të ndodh prej datës 22 nëntor.

Edhe Kurti kishte folur në mënyrë të qartë në adresimin e tij më 31 tetor, kur mori vendimin për shkallëzimin e zbatimit të vendimit.

Edhe aty, Kurti njoftonte se faza e qortimeve do të niste "deri më 21 nëntor". Kjo do të nënkuptonte se aktualisht do të ishim vetëm disa orë larg nisjes së shqiptimit të gjobave, por duket se një gjë e tillë nuk do të ndodh.

Kryeministri i Kosovës tashmë është nisur në një udhëtim për në Bruksel, ku pritet të takojë edhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq. Takimi i tyre është paraparë të mbahet nesër në orën tetë të mëngjesit, sipas këtij të fundit.

Trysnia ndërkombëtare ndaj Kosovës është shtuar jashtëzakonisht shumë në ditët e fundit, me ShBA-të që kanë shprehur "shqetësim e zhgënjim" me vendimin e Kurtit për të mos shtyrë zbatimin e vendimit për targa për 10 muaj. Sipas përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, ajo ishte edhe "kërkesë personale" e Sekretarit amerikan Antony Blinken.

Ndërkohë, ambasadori amerikan Jeff Hovenier e kishte intepretuar kërkesën amerikane për shtyrje të zbatimit të vendimit për targa si "kërkesë specifike dhe urgjente" të ShBA-ve.

Deri tash nuk ka asnjë informacion apo shpjegim për ndryshimin e datës e të fjalëve nga institucionet kosovare. Nacionale ka kontaktuar me Ministrin e Punëve të Brendshme por ata nuk kanë dhënë përgjigje deri në këtë moment. Ndërkohë, redaksia po provon të marrë përgjigje nga Policia e Kosovës për këtë çështje.

Pozicionet e palëve

Në një intervistë të dhënë para disa ditësh, zv. Kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ishte shprehur se Kosova nuk do ta shtynte afatin për targa.

Kur unë pyes (Amerikën dhe BE-në) se çka ndodh në gusht të vitit 2023 (kur mbaron afati shtesë prej 10 muajsh), nuk ka pasë përgjigje,”- ishte shprehur Bislimi.

Në anën tjetër, teatral si gjithnjë por edhe i ashpër në deklarime u shpreh edhe Aleksandër Vuçiq. "Tani edhe serbët e kanë kuptuar se nuk ka marrëveshje me atë njeri," - tha ai për mediat serbe, duke iu referuar kryeministrit Albin Kurti.

Lajme të ngjashme