Çka pas refuzimit të Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e prillit? Flet politologu Gogiq
Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, dhe kjo mund të prodhojë një realitet të ri politik në vend. Çka mendon për këtë çështje politologu Ognjen Gogiq?
Në një prononcim për Nacionalen, z. Gogiq ka shprehur disa qëndrime mjaft interesante.
Sipas tij, zgjedhjet që ishin shtyrë në dhjetor duke vënë në pikëpyetje edhe sovranitetin e Kosovës në veri të vendit, duhej të shtyheshin përsëri.
“Mendoj se ishte shumë herët për Beogradin që t’i lejonte serbët në veri të merrnin pjesë në zgjedhje. Më e mira do të ishte të shtyheshin edhe për disa muaj tjerë dhe të negocioheshin kushtet për mbajtjen e tyre. Beogradi duhet të shfaq qasje më konstruktive pas marrëveshjes së Ohrit, por thjesht ishte shumë herët,” – tha z. Gogiq fillimisht.
Por, a mund të organizohen zgjedhjet edhe pa pjesëmarrjen e Listës Serbe? Gogiq mendon se “jo”.
“Dyshoj që Kosova do të arrijë të organizojë zgjedhje. Do të përballet me rezistencë nga komuniteti lokal dhe me kalimin e kohës do të heqë dorë. Serbët nuk do të lejojnë që vendet e tyre të përdoren si vendvotime. Do të jetë e pamundur që të mbahen zgjedhjet nëpër tokë, etj. Nëse ndodh më e keqja do të na duhet të kemi incidente si ato në dhjetor me gjuajtje me armë.” - shprehet politologu serb nga Kosova.
Ndërkohë, a do të kishte legjitimtet për zgjedhjte e 23 prillit?
“Legjitimiteti i zgjedhjeve po ashtu do të jetë në pikëpyetje. Jo vetëm që Lista Serbe s’merr pjesë por po ashtu do të ketë dalje të ulët. Serbët do të bojkotojnë zgjedhjet dhe nuk do të votojnë. Beogradi do t’ju thotë të mos votojnë. Edhe ata që duan të votojnë do të jenë nën presion që të mos e bëjnë. Disa grupe opozitare nga komuniteti serb do të marrin pjesë në zgjedhje por shumë pak njerëz do të guxojnë që të votojnë për to.” – thotë Gogiq.
Por, çka duhet të bëjë Kosova në këtë situatë të pakëndshme? Gogiq beson që zgjedhjet duhen futur në një ‘thes’ me mekanizmin e vetëmenaxhimit – që disa po e interpretojnë edhe si Asociacion.
“Më e mira do të ishte t’i shihnim zgjedhjet si pjesë të zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit e të Ohrit dhe për shembull që t’i bashkonim ato me nisjen e bisedimeve për mekanizmin e vetëmenaxhimit. Në atë formë të dyja palët do të ndiheshin sikur po marrin diçka. Sidoqoftë, për këtë gjë do të merrte kohë dhe 23 prilli është shumë herët.” – vazhdoi ai.
Lista Serbe e kishte paralajmëruar mos-pjesëmarrjen në zgjedhjet e 23 prillit edhe javë më parë.

