Çka ndodhte në Kosovë kur ambasadori ynë në ShBA ankohej për 'trajtimin brutal' të Amerikës? - NACIONALE

Çka ndodhte në Kosovë kur ambasadori ynë në ShBA ankohej për 'trajtimin brutal' të Amerikës?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Viti që kemi lënë pas nuk ishte i mirë për raportet Kosovë-ShBA. Gjatë vitit 2022 kanë ndodhur shumë zhvillime, të cilat kanë lëkundur raportet speciale të Republikës së Kosovës me SHBA-të, që janë përkrahësit më të mëdhenjtë të pavarësisë së Kosovës. Komentues të shumë kanë bërë me dije vitit 2022 ka shënuar ftohjen e madhe të këtyre raporteve.

Lëndimi i këtyre raporteve është vërtetuar edhe në raportin vjetor që ambasadori i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli, ia ka dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Në këtë raport, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, ai tregon për vështirësitë që ka pasur në realizmin e takimeve në Uashington. Madje, sipas tij, trajtimi i Kosovës në Uashington nuk është sikurse më parë.

Ngjarjet që ndikuan në ftohjen e raporteve

Përplasjet e mëhershme të Albin Kurtit me ambasadorët e ShBA-ve në Prishtinë dhe qëndrimet e ndryshme nacionaliste të tij kanë reflektuar edhe në raportet Kosovë-SHAB.

Gjatë vitit të kaluar ka ndodhur një varg ngjarjesh që kanë ndikuar në ftohjen e raporteve Kosovë-ShBA.

Ftohja e parë kishte të bënte me projektin e gazit amerikan. Në shkurti të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se nuk do të përfshihej në rrjet, i cili përkrahej nga qeveria amerikane.

Më pas, procesi i dialogut me Serbinë ishte fusha ku pati mospajtime në mes të dy vendeve.

Stina e verës e kishte entuziazmuar kryeministrin për të ndryshuar kursin e dialogut, duke pretenduar se do të zbatonte marrëveshjet që nuk i kishin zbatuar qeveritë e kaluara. Në këtë mënyrë, veprimet e njëanshme të Qeverisë Kurti kishte nxitur intervenimin e SHBA-së në proces.

Kështu, më 29 qershor, Qeveria e Kosovës kishte vendosur reciprocitet për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë. Kjo kishte nxitur reagime e SHBA-së duke kërkuar nga qeveria të bëhet kujdes.

Pas presionit amerikan, Qeveria e Kosovës kishte dalë me planin që vendimi për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia të zbatohet në disa faza.

Shtyrja nuk i kishte kënaqur SHBA-të, të cilat si kurrë më parë kishin shprehur në mënyrë publike zhgënjimin me Kosovën.

Më 21 nëntor, kryeministri Kurti kishte pranuar kërkesën e ambasadorit amerikan në Prishtinë që të shtyhej vendosja e gjobave për 48 orë, në mënyrë që t’i mundësojnë BE-së dhe SHBA-ve gjetjen e një zgjidhje.

Më vonë, Kurti kishte thënë se shtyrjen e kishte pranuar pasi ishte informuar nga diplomati amerikan për rreziqet që do të mund të shkaktonte në veri vendimi i qeverisë.

Përplasja për zgjedhjet në veri

Vendimi i qeverisë ishte bërë sebep për largimin e serbëve nga institucionet qendrore dhe lokale. Pasi drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, kishte refuzuar ta zbatonte vendimin e qeverisë për targat, autoritet kosovare e kishin pezulluar nga puna. Kjo kishte nxitur Listën Serbe të largohet nga Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës.

Këto veprime ishin përcjell edhe me dorëheqjen e serbëve nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veriore.

Largimi i kryetarëve të komunave veriore, kishte nxitur presidenten e vendit që të shpall mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e komunave. Insistimi i institucioneve kosovare për t`i dërguar trupat e KQZ-së në komunat veriore kishte hasur në rezistencë nga serbët lokalë, të cilët kishin sulmuar me granata dore objektet e KKZ-ve. Tensionimi i situatës atje, kishte shtyrë SHBA-në dhe BE-në që të kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të shtyjnë mbajtjen e zgjedhjeve. Natyrisht, fillimisht, presidentja dhe kryeministri kishin refuzuar, por më pas pranuan që këto zgjedhje të shtyhen për pjesën e parë të vitit 2023.

Pas shtyrjes se zgjedhjeve, Policia e Kosovës kishte arrestuar në pikën kufitare në Jarinje ish-policin serbe Dejan Pantiq, si i dyshuar për sulme ndaj zyrave të KKZ-ve në veri. Kjo kishte nxitur një valë të re të pakënaqësive të serbëve lokalë. Ditën që është arrestuar Pantiqi, të nxitur nga autoritet serbe dhe grupe te organizuar me maska, ata kanë filluar bllokimin e rrugëve në atë pjesë të vendit, duke mos lejuar as dërgimin e ish-policit në paraburgim. Vazhdimisht ata kërkonin e ish-policit. Vetëm pas Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi që Pantiqit t`i ndryshohet masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak, ata u pajtuan për largimin e barrikadave.

Këto dhe ngjarje të tjera që kanë implikuar drejtpërdrejt SHBA-në kanë mundur të ndikojnë edhe në dinamiken e punës së ambasadorit të Kosovës në Uashington.

Vështirësitë e ambasadorit

Në raportin e titulluar “Raport i shkurtër mbi vitin e parë të detyrës në ShBA” të përgatitur nga ambasadori Ilir Dugolli për kryediplomatën Donika Gërvalla Schëarz, thuhet se ambasadori ka hasur në vështirësi në organizimin e takimeve me zyrtarët amerikan.

Në pjesën ku shkruan për “Menaxhimin e Ambasadës” gjejmë fjalë që, më e pakta, mund të cilësohen si skandaloze për një diplomat të nivelit të lartë dhe që potencialisht mund të rrezikojë edhe më shumë raportet mes ShBA-ve dhe Kosovës.

Ambasadori Dugolli aty tregon për “kufizimet e shumta” me të cilat është përballur Ambasada përgjatë vitit për të cilin reflekton.

Sipas Dugollit, trajtimi i SHBA-së është më brutal se sa që mund të perceptohet.

“Përderisa mund të ketë ambasadë tjetër të RKS-së që ka funksionuar me nivel të njëjtë të stafit, vështirë të ketë rast tjetër ku shkrihen në një vend mbështetja në një diplomat të vetëm, pa staf vendor, me trajtim nga shteti nikoqir që është larg më brutal se që mund të perceptohet në kryeqendër...”, thuhet në raport.

Lajme të ngjashme