Çitaku paralajmëron se do t’i drejtohen me kërkesë të re Kushtuetueses: Për çka bëhet fjalë?
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka paralajmëruar se do ta dërgojnë edhe një lëndë në Gjykatën Kushtetuese.
Çitaku në “Rubikon” ka thënë se janë duke mbledhur nënshkrimet dhe se do të kërkojnë të kuptojnë se cilat janë pasojat e mosveprimit nga ana e deputetëve.
“Ne do të ndërmarrim hapa brenda këtyre ditëve, lëndën e kemi përgatitur, nënshkrimet jemi duke i mbledhur dhe do të kemi një kërkesë të re për sqarime nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ndonëse për ne është shumë i qartë mirëpo do të mundohemi të kuptojmë më qartë cilat janë pasojat e një mosveprimi nga ana e deputetëve. Do të duhej të kishte një pasojë për mos respektimin të aktgjykimit të Kushtetuese. Pra ne do të kërkojmë qartësim cilat janë pasojat për deputetin apo deputeten që nuk e respekton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese” – ka thënë ajo.
Tutje, Çitaku ka thënë se vendimet e Kushtetueses “nuk janë tavolinë suedeze ku përzgjedhin të zbatojnë vetëm ato që i pëlqejnë”.
“Nuk dua të spekuloj, ne si PDK jemi munduar të respektojmë integritetin e institucioneve të pavarura sepse i kemi ndërtuar bashkërisht me shumë mund e sakrificë. Ka ndodhur që ndonjëherë nuk na kanë pëlqyer aspak vendimet që ka marrë Gjykata Kushtetuese por vendimet e saj nuk janë tavolinë suedeze ku ne përzgjedhim dhe i zbatojmë vetëm ato që na pëlqejnë dhe i lëmë anash ato që nuk na pëlqejnë” – ka thënë ajo.