Çka përmban paketa e stimujve financiarë të Hamzës për bizneset? - NACIONALE

Çka përmban paketa e stimujve financiarë të Hamzës për bizneset?

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Me afrimin e zgjedhjeve nacionale, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, shpalosi dje një paketë të stimujve financiarë, të cilat, sipas tij, do të mbështesin zhvillimin e sektorit privat. Zotimet "Financimi për Mbështetjen e Investimeve Private", pjesë e programit më të gjerë të Hamzës "Kosova mundet ma mirë", përfshijnë subvencione, garanci kreditore, financime për rritje të eksporteve, grante për modernizim të teknologjisë, zgjerimin e rolit të Fondit të Garantimit të Kredive të Kosovës, etj.

Ndër pikat kryesore në pjesën e mbështetjes financiare të programit për investimet e sektorit privat është zotimi për subvencione të mbështetura nga qeveria deri në 30% të shumës totale të investimit.

"Programi i fuqishëm qeveritar për mbështetjen financiare të sektorit privat, që ofron subvencione dhe grante deri në
30% të shumës totale të investimit."

Zgjerimi i Fondit Kosovar të Garancisë së Kredive (FKGK), një politikë ekonomike për "të siguruar kredi me kushte më të favorshme për bizneset në sektorët strategjikë të vendit", është një tjetër premtim ambicioz i Hamzës në programin e tij qeverisës.

"Zgjerimi i rolit të Fondit të Garantimit të Kredive të Kosovës (FGKK), duke i mundësuar lejimin e linjave kreditore me destinim të caktuar për institucionet financiare që veprojnë në Kosovë, për të siguruar kredi me kushte më të favorshme për bizneset në sektorët strategjikë të vendit."

Në kuadër të mbështetjes së investimeve private, programi përfshin edhe themelimin e Bursës së Kosovës, e cila, thuhet se do të ketë rolin e "tregut të kapitalit për sektorin privat".

Përmes kësaj Burse, kompanitë kosovare "do të mund të tregtojnë aksione dhe letra me vlerë, duke krijuar një kanal të ri për mbledhjen e fondeve nga investitorët."

Kjo, sipas proramit, do të mundësojë "rritjen e konkurrencës në sistemin financiar për të ulur kostot e financimit."

Masat mbështetëse të eksportit

Programi i Hamzës synon gjithashtu rritjen e eksportit, me premtime për garanci të specializuara kreditore, grante për modernizimin teknologjik dhe financim për zhvillimin e fuqisë punëtore që synon mbështetjen e bizneseve me potencial eksporti.

Programi përfshin grante të synuara për përmirësime teknologjike dhe programe trajnimi dhe rritje të konkurrueshmërisë.

"Produkte të posaçme të garantimit kreditor për kompanitë eksportuese. Grante për modernizim të teknologjisë dhe rritje të konkurrueshmërisë. Mbështetje për ngritjen e kapaciteteve njerëzore të domosdoshme për rritjen e eksportit." - thuhet në program.

Lajme të ngjashme