'Buxheti' i paligjshëm i Kurtit dhe 'dredhia' e Osmanit për të mbetur në pushtet: Intervistë me Isa Mustafën - NACIONALE

'Buxheti' i paligjshëm i Kurtit dhe 'dredhia' e Osmanit për të mbetur në pushtet: Intervistë me Isa Mustafën

1 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Qeveria është e para pesë vjetëve.

Nuk pikëtakohet me këtë legjislaturë të re cila duhet të prodhojë qeveri legjitime të zgjedhur, ose, në të kundërtën, shpërbëhet dhe shkohet në zgjedhje të reja.

Në kapacitet thjesht-kujdestar, Albin Kurti i Vetëvendosjes, miratoi “Buxhet për vitin 2026” me qeveri të mandatuar në 2021’ën e të skaduar në fillim të këtij viti.

Me verdikt të Gjykatës Supreme, Albin Kurti dhe kabineti i tij deputeto-qeveritar, janë përkufizuar si deputetë pa kapacitet vendimarrjeje ekzekutive, sepse Kushtetuta e Kosovës e përcakton ashtu; por edhe Ligji për Qeverinë që e ka shkruar vetë Vetëvendosja dhe votuar Qeveria Kurti II.

Saktësisht mbi këto premisa, Supremja rrëzoi vendimarrjen qeveritare të deputetit Hekuran Murati, e që shtrihet në kabinetit e qeverisë kujdestare ku presidojnë deputetë të Vetëvendosjes si ministra. Jo ushtrim të dy pushteteve, legislativ dhe ekzekutiv njëkohësisht.

Përveç “Buxhetit”, ai me qeveri kujdestare, mori edhe një sërë vendimesh që tejkalojnë rendin juridik dhe kushtetues: pagën minimale në 500 euro, rritjen e pensioneve, shtesa për studentë, pagë të 13’të për punëtorët e sektorit publik.

Si qeveri në detyrë, Albin Kurti i Vetëvendosjes nuk mund të merr vendime përveç administrimit rutinor, funksioneve të domosdoshme ose çështjeve urgjente; e assesi të ndërmerr iniciativa legjislative dhe përkushtime të reja e të mëdha financiare, çka ia mësyu të bëjë.

  • Manipulime të ulëta politike dhe sjellje absolutisht të papërgjegjshme ndaj shtetit.

Kështu e quan Isa Mustafa, Ish-Kryeministër i Kosovës dhe ish-Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, krejt kursin e ndjekur ditëve të fundit nga Albin Kurti i Vetëvendosjes i cili prodhoi një seri vendimesh kontraverze në kapacitet veç kujdestar. Mustafa e kthen në perspektivë nëntë-mujore se si ka operuar Vetëvendosja, prej “prolongomimit me vetëdije” të konstituimit të Kuvendit e deri te “veprimet joligjore” për arsye akuzimi të ish-opozitës se “po pengojnë buxhetin dhe po rrezikojnë pagat dhe investimet”.

“Nga Gjykata Supreme është bërë më se e qartë se kjo Qeveri në detyrë po vepron në kundërshtim me ligjin, se shumica janë në konflikt interesi ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ. Është prolonguar me vetëdije konstituimi i Kuvendit me lloj-lloj veprimesh jokushtetuese të partisë që doli e para në zgjedhje për çfarë pastaj është atakuar padrejtësisht Gjykata Kushtetuese.

‘Qeveritarët’ e kanë ditur se duhet të zgjidhet qeveria e re për të propozuar buxhetin dhe për të proceduar me miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend. Nuk e kanë bërë, por kanë ndërmarrë veprime joligjore me qëllim që të akuzojnë partitë tjera se ato po e pengojnë buxhetin dhe po rrezikojnë pagat dhe investimet. Janë këto manipulime të ulëta politike dhe sjellje absolutisht të papërgjegjshme ndaj shtetit”, tha Isa Mustafa.

  • Paga minimale

Për Isa Mustafën, pa-një-pa-dy, mënyra se si thjesht-ashtu kabineti deputeto-qeveritar i Albin Kurtit, nxori vendim për rritje të pagës minimale, përbën veçse “blerje manipulaitve të përkrahjes, për vota”. Rritja e pagës minimale, na tha Isa Mustafa, bëhet mbi vlerësime ekonomike nga një qeveri lejgitime–çka nuk ka–dhe partnerëve ekonomikë.

“Paga minimale kërkon vlerësime të bazuara nga një qeveri legjitime dhe nga partnerët ekonomik. Sepse paga krijon ngarkesë të ekonomisë, e cila në rast se nuk e përballon e ul numrin e të punësuarëve dhe për aq apo më shumë kalon në ekonomi informale, duke mos paguar obligimet pensionale dhe të sigurimeve shoqërore me ndikim të drejtpërdrejtë edhe në Produktin e Brendshëm Bruto. Logjikë e njëjtë është edhe me pagën e trembëdhjetë sikurse edhe me 100 eurot për studentët. Është blerje manipulative e përkrahjes për vota”.

  • Paga e 13’të për sektorin publik.

Që punonjësit publikë të marrin pagë të 13’të mbi kurrizin e sektorit privat, Isa Mustafa vlerëson papërgjegjshmëri të madhe. Pyetja e tij vijon në kërkim të logjikës së kësaj.

  • “Shtrohet pyetja, cili është kontributi i veçantë i punonjësve të sektorit publin për tu shpërblyer me të 13-tën pagë. Pagë e cila paguhet nga buxheti, i cili është pjesë e PBB i krijuar nga aktivitetet prodhuese dhe shërbyese. Qeveria e përgjegjshme i trajton barabartë të punësuarit në sektorin privat dhe publik, që s’është rasti me grupin parashtetëror i cili e ka uzurpuar pushtetin dhe shtetin. Me këso veprime nuk zhvillohet vendi”, tha Isa Mustafa.
  • “Kosova me të ardhura për kokë banori, sipas paritetit të fuqisë blerëse, është në nivel prej 30 për qind të mesatares së BE-së, përkatësisht në nivel prej 72 për qind të mesatares së Ballkanit Perëndimor. Në këtë situatë, të lavdërohesh me norma vjetote të rritjes ekonomike prej 4 për qind në vit është joserioze. Nëse vazhdohet kështu as në fund të këtij shekulli nuk do të konvergjojmë me Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

“Dredhia” në ardhje e Vjosa Osmanit

Për atë që Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës, ka (ri)orbituar në kursin e Albin Kurtit, tash e disa muaj, për Isa Mustafën nuk përbën befasi. Ky i fundit veçse paranjofton “dredhi” të radhës nga ajo “për të mbetur në pushtet.

  • “Sa i përket presidentes, ajo është treguar një karrieriste dhe manipulante e paskrupullt politike. Deri tani ka miratuar dhe ekzekutuar të gjitha veprimet e qeverisë Kurti që kanë quar në izolimin politik dhe ekonomik të vendit. E ka lënë vendin pa kryeprokuror të shtetit, në disa raste e ka shkelë Kushtetutën dhe nuk ka reaguar asnjëherë në shjeljet kushtetuese nga qeveria. Edhe tani mund të presim dredhi të saj për të mbetur në pushtet”, tha Isa Mustafa për Nacionale.

Lajme të ngjashme