Brenda pak ditësh dëmtohen dy monumente të UÇK-së: Kujt po i pengojnë tri shkronjat e arta?
Gjatë muajit maj kanë ndodhur disa raste të çuditshme që tregojnë urrejtje për UÇK-në dhe luftën çlirimtare. Vetëm brenda pak ditëve janë dëmtuar dy monumente të UÇK-së, të cilat ndodhen nëpër pika të larta të maleve në vende të ndryshme të Kosovës.
Derisa në mes të majit, janë dëmtuar tri shkronjat e UÇK-së që ndodhen te “Guri i Shpuar” në Kaçanik, dje është dëmtuar edhe monumenti i UÇK-së që është vendosur në maje të Çyçavicës.
Në të dy rastet shihet tendenca për t`i djegur dhe dëmtuar materialet nga të cilat janë ndërtuar simboli i UÇK-së. Deri me tani askush nuk është arrestuar për veprimet të tilla.
Simboli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i vendosur në Çyçavicë është dëmtuar.
Faqja e fshatit Sibofc, komuna e Obiliqit, ka njoftuar se tri shkronjat e UÇK-së janë dëmtuar nga persona të panjohur.
Në njoftim është thënë se dëmtimi është në atë shkallë sa duhet të intervenohet.
“Të dashur bashkëfshatar dhe kontribues për shkronjat e arta te UÇK-së në Çyçavicë: Ju njoftojmë se nga persona të panjohur janë dëmtuar shkronjat në një shkallë ku kërkohet demontimi për sanim. Duke e ditur rëndësinë e këtyre shkronjave për neve si popull i ftojmë organet e rendit të mirren më seriozisht me rastin”, është thënë në njoftim.
Dëmtime më të renda ka marrë monumenti i UÇK-së i cili ndodhen në vendin e quajtur “Guri i Shpuar” në Kaçanik.
Më 17 maj, persona të panjohur kanë tentuar t`i djegin shkronjat e UÇK-së.
Policia ka thënë disa detaje për këtë rast.
“Nga hetimet e para dyshohet se simboli është dëmtuar nga persona të panjohur, ndërsa nuk dihet koha e saktë e ngjarjes. Në afërsi të monumentit është vërejtur edhe një zjarr, që dyshohet se ka shkaktuar djegien e materialeve plastike të shkronjave. Me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, “ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësitet përkatëse të policisë”, ka vlerësuar policia.
Rastin në fjalë e ka dënuar edhe dega e OVL UÇK-së në Kaçanik.
“Sot kemi marrë njoftimin se shkronjat e UÇK-së që janë të vendosura tek Guri i Shpuar, janë dëmtuar rëndë nga persona keqbërës, Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes te shkronjat dhe është duke u marrë me rastin. OVL e UÇK-së dega në Kaçanik, shprehë indinjatën e thellë mbi këtë aktë barbar, njëherit edhe e dënon ashpër, kushdo qoftë prapa kësaj vepre të ndytë!”, është thënë në reagim.
Gjithashtu, gjatë kësaj jave ka ndodhur edhe një rast tjetër, i cili tregon mosrespekt ndaj luftës çlirimtare.
Kosovar Azemi dhe Fisnik Bislimi, bijtë e heronjve Nijazi Azemi dhe Rexhep Bislim, janë dënuar nga Policia e Kosovës vetëm pse në tabelat e makinës së tyre kishin vendosur simbolin e UÇK-së.
Në rrjetet sociale, ata kanë postuar një video ku dy policë në Prishtinë ua vendosin dënimin prej 60 eurove.
Në video ata dëgjohen duke iu kërkuar policëve që në tiketën e dënimit të vendoset arsyeja e vërtetë për gjobitje.
“Sot në Kosovën e lirë, unë djali i Heroit Nijazi Azemi - Komandant Mjekrra dhe Fisnik Bislimi -djali i Heroit Rexhep Bislimi u ndaluam dhe u gjobitëm për simbolin e UÇK-së. Më e turpshmja? Ne kërkuam që në gjobë të shkruhej e vërteta: “u ndaluan për simbolin UÇK”. Por nuk patën guxim ta shkruajnë. Na dënuan për UÇK-në, por u frikësuan ta pranojnë me shkrim”, kanë shkruar ata në Facebook.
Ky veprim i policisë në Prishtinë ka nxitur reagime të shumta. Kjo sjellje e policisë është dënuar nga organizatat e dala të luftës dhe njohës të rrethanave pulitke në vend.