“Betejë elektorale”; “inate personale”: Pse nuk po takohen Kurti dhe Rama?
Mungesa e një takimit në mes të kryeministrit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë në 25-vejtorin e çlirimit të Kosovës ka nxitur reagime të shumta në të dy vendet. Duke se Albin Kurti dhe Edi Rama po e refuzojnë njeri-tjetrin për arsyeje joparimore. Një takim i shumëpritur nuk ndodhi as të hënën, kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qëndroi në Kosovës.
Njohësit e rrethanave politike në Kosovë dhe Shqipëri kanë vlerësuar se të dy kryeministrat janë fajtor për raportet jo të mira në mes të dy vendeve.
Analisti nga Shqipëria Mero Baze ka drejtuar gishtin nga Albin Kurti.
Ky i fundit, sipas gazetarit shqiptar, e ka kthyer Shqipërinë në betejë elektorale.
“Pas Micotaqis, i dyti që ka kthyer betejën me Shqipërinë në betejë elektorale është Albin Kurti. Ky që e nisi rrugën politike si ideator i bashkimit me Shqipërinë, tani ka një ideologji të vetme, betejë për të fituar beteja elektorale me luftën ndaj Shqipërisë. Njësoj si Miciotaqis, dhe ky i ka hipur kalit të gabuar të betejës. Edi Rama nuk dëmtohet nga pikëpamja elektorale nga beteja e Albin Kurtit. Nuk them se i shtohen vota, por e sigurtë që asnjë nuk i ikën. Pikërisht pse e di këtë, Edi Rama po ja mban ndezur këtë betejë, po e nxit të vazhdojë betejën me Shqipërinë, madje ta kthejë në betejë elektorale”, ka vlerësuar Baze në një opinion të tij.
Ai ka bërë me dije se Rama nuk ka faj në këtë pikë.
“Duke u treguar i pamëshirshëm në këtë pikë, Edi Rama po përpiqet ta ekspozojë përditë e më shumë Albin Kurtin si një lider që kërkon të fitojë popullaritet duke sulmuar Shqipërinë. Në thelb, inati i Albin Kurtit është me Perëndimin, por ngaqë nuk kundërshton dot hapur gjërat që i thotë Perëndimi, i kundërshton dhe i kthen në armiqësi me Shqiperine, kur ja përsërit Edi Rama. Dhe ky i fundit ja ka kapur këtë ves dhe ja përsërit kudo, në Tiranë, në Prishtinë, në Berlin, në Romë, kudo që është mundësia”, ka shkruar ai.
Analisti politik Imer Mushkolaj beson se për raportet aktuale fajtor janë të dy kryeministrat.
Në emisionin “Debat Plus”, ai ka thënë kryeministri kosovar Albin Kurti dhe ai shqiptar Edi Rama vazhdimisht kanë pasur raporte të tilla.
“Kjo ftohje nuk është e para, po doket se ka kaluar si një grip ose flame. Nuk ka mbetur veçse si ftohje dhe e kemi parë në të kaluarën, manifestim i përplasjeve mes Kurtit dhe Ramës për çështje të ndryshme, veçanërisht çështje që kanë të bëjnë me Serbinë, zbatimi i marrëveshjes ose mënyrën e zbatimit të Asociacionit e Komunave me shumicë serbe”, ka thënë ai, duke bërë fajtor të dy kryeministrat për nivelin e raporteve.
“Në këtë raport nuk është veçse një fajtor, në kuptimin se është një betejë mes dy kryeministrave për arsyeje më së paku ideologjike dhe më shumë të përpjekjes për dominim politik në çfarëdo forme. Veçanërisht, duke pasur parasysh çasjen e kryeministrit Rama, i cili shpeshherë ka ditur të vetofrohet ose të propozojë zgjidhje për probleme që nuk janë mirë pritur nga kryeministri Kurti”, është shprehur Mushkolaj.
Ndërsa, analisti Blerim Latifi ka përmendu një arsyeje tjetër se pse dy kryeministrat nuk po takohen.
Në profilin e tij në “Facebook”, Latifi ka shkruar se ata nuk takohen për shkak të inateve personale.
“25 vjet ma parë krejt bota demokratike ishte e bashkuar rreth dhe për Kosovën. 25 më pas as dy kryeministra shqiptarë nuk takohen dot, se për bashkim as që bëhet fjalë. Nëse diçka ka forcën e ligjit suprem tek shqiptarët, ai është inati personal mes tyre”, ka shkruar Latifi.