BE-ja godet tri projektligje që pritet të miratohen nesër në Kuvendin e Kosovës: Jemi të shqetësuar
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dalë me një reagim të gjatë për tri projektligje që pritet të votohet nesër në Kuvendin e Kosovës.
Përmes një komunikate për media, thuhet se BE me keqardhje vëren se në Ligjin për Zyrtarët Publikë, versionin aktual të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media dhe në projektligjin aktual për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, nuk janë marrë parasysh komentet e bllokut.
“Sa i përket Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publikë, është shqetësues fakti se Komisioni i Kuvendit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rural, nuk i ka konsideruar këshillat e gjera dhe konsistente që BE-ja ka ofruar gjatë procesit të hartimit në mënyrë që ligji të përafrohet plotësisht me parimet meritore, duke përfshirë një opinion të veçantë të Komisionit të BE-së të nxjerrë për Ligjin për Zyrtarë Publikë në fuqi.” – thuhet në komunikatën për media.
“Komisioni i Kuvendit nuk i ka trajtuar shqetësimet kyçe lidhur me këtë projektligj, të ngritura në opinione të ndryshme të BE-së, veçanërisht në lidhje me ndryshimet që sjell legjislacioni në pozitat drejtuese dhe në procedurat e rekrutimit, ngritjes në detyrë dhe performancës në shërbimin civil.” – shkruan tutje.
Zyra e BE-së mes tjerash thekson se nëse këto ndryshime zbatohen, rrezikohet të minohet profesionalizmi dhe paanshmëria e shërbimit civil.
“Veçanërisht, është shqetësues fakti që projektligji e mban edhe dispozitën e diskutueshme “viti zero”, e cila përcakton se me hyrjen në fuqi të ligjit fillon edhe mandati i parë i shërbimit për nëpunësit civilë në detyrë dhe zyrtarët publikë në pozita drejtuese të nivelit të ulët dhe të mesëm, pasi që kjo bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023. Kjo rrezikon gjithashtu të minojë profesionalizimin dhe stabilitetin në shërbimin civil”.
Në lidhje me Projektligjin për KPM-në, Zyra e BE-së ka deklaruar se aty nuk pasqyrohen shumica e rekomandimeve të përfshira në Opinionin Ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës.
“Përkundër futjes së disa ndryshimeve thelbësore në fushën e rregullimit të medias, drafti aktual kërkon rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore, proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e mëtejshme me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës.” – thuhet tutje.
Në lidhje me projektligjin aktual për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, BE-ja shprehu keqardhje që Kosova nuk ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias.
“Andaj, BE-ja përsërit rekomandimin e vet të fortë që të rikonsultohet Komisioni i Venecias për këtë projektligj. BE-ja thekson më tej me shqetësim se përkundër këshillave dhe mbështetjes sonë të vazhdueshme që i kemi dhënë qeverisë dhe komisioneve përkatëse të Kuvendit, komentet tona nuk janë marrë parasysh, duke përfshirë ato në lidhje me rritjen e pluralizmit dhe pavarësisë së Komisionit Para-Zgjedhor për të siguruar përafrimin me standarde evropiane”.
“Andaj, i bëjmë thirrje Kuvendit që t’i rishqyrtojë edhe një herë plotësim/ndryshimet e propozuara për të siguruar që këto projektligje t’i përmbushin standardet e BE-së dhe evropiane duke adresuar komentet dhe rekomandimet tona të mëparshme. Në fund të fundit, ligjet e mira dhe të drejta që përputhen me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, janë esenciale për sundimin e ligjit në shoqëritë demokratike, si dhe për mirëqenien dhe mbrojtjen e qytetarëve.” – thuhet në fund.
Ditë më parë, Gazeta Nacionale ka publikuar letrat e BE-së për komisionet e Kuvendit të Kosovës, ku shprehen disa shqetësime me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë. Aty bëhet e ditur se nuk janë marr parasysh asnjë nga komentet e tyre.
Letra në fjalë i është dërguar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, kryetares së Komisionit për Integrimeve Evropiane, Rezarta Krasniqi, kryetarit të Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Valon Ramadani, si dhe kryetarit të Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi. Opozita ka paralajmëruar se këto ligje do të dërgohen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.