Banditët, monarkia e lojërat politike: Lumir Abdixhiku i ashpër me VV-në, thotë se nuk mbështesin qeveri të pakicës - NACIONALE

Banditët, monarkia e lojërat politike: Lumir Abdixhiku i ashpër me VV-në, thotë se nuk mbështesin qeveri të pakicës

1 javë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka qenë i ashpër në konferencën e sotme për media. Ai ka kritikuar Vetëvendosjen për lojëra politike.

Abdixhiku përmendi edhe fjalë të rënda si bandit, monarki e lojëra politike, për të cilat tha se janë qasja që VV-ja po e synon në Kosovë.

Në një konferencë për media, Abdixhiku ka thënë se Glauk Konjufca, në rrethanat e tanishme politike, duhet të jetë i sinqertë me veten, më shumë, shumë më shumë se sa Kryetari i tij, dhe të konstatojë se nuk ka shumicë e as kohë për të humbur më.

“Çdo përpjekje për ta zvarritur këtë proces për kalkulime të vogla elektorale, për data që në fund të ditës nuk bëjnë asnjë diference elektorale, janë përpjekje të një pushteti që nuk e lëshon dot karrigen që nuk i takon”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, “kjo sjellje, është turp politik i një gjenerate që duhet të tregojë minimalisht dinjitet dhe respekt ndaj qytetarëve të Kosovës; por mbi të gjitha, duhet të tregojë vëmendje dhe ndjeshmëri për krizat që i kemi në prag.

“Zvarritja e ditëve, kur e di se nuk ke shumicë, është thellim i vetëdijshëm i krizave që po na vijnë, e kështu dhe parapërcaktimit të fatit të tyre. Pas gjithë refuzimeve për unitet dhe për adresim të përbashkët shtetëror, pas tetë muajve të humbura në bllokada, pas shkeljeve të rënda kushtetuese, pas rrënimit, shtetar e demokratik, le të sillemi një herë përgjegjshëm”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas liderit të LDK-së, “çdo vonesë në këtë drejtim është thjesht taktikë politike; sa e trishtë aq edhe pa konsideratë për Republikën e Kosovës, popullin tonë, dhe të ardhmen e mirë që na pret”.

Ai ka thënë se Kosova duhet t’i kthehet sovranit. Abdixhiku e ka quajtur monarki propozimin e Konjufcës.

“Në monarki mandati trashëgohet, nga babai tek i biri, nga Albini te Glauku”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se në demokraci mandati sigurohet përmes votës qytetare.

“Nuk ka asnjë peshë zhvillimi i brendshëm në një parti politike. Për LDK-në ky proces është një lojë politike që ka për synim thellimin e krizës. Koha e axhamive politike ka marrë fund. Politikave të tilla duhet t’u dilet ballë. LDK-ja konsideron se çdo zvarritje e tillë e qëllimshme përbën zgjatje të krizës. Konjufca nuk ka shumicë”, ka thënë ai.

“Glauk Konjufca, si mandatar i trashëguar nga një sekt politik që veten e sheh si shtet, duhet të konstatojë realitetin politik në vend - mungesën e shumicës parlamentare - dhe në përputhje me interesin madhor të Republikës, të mos humbë asnjë ditë kohë më”, ka thënë Abdixhiku. Sipas tij, nuk fitohen betejat elektorale më me politika primitive. “Politikave të tilla i dalim në ballë. Popullizmit duhet ti dilet në ballë dhe t’i thirret emri siç është. LDK konsideron se çdo ditë e humbur në lojëra të ulëta politike, çdo zvarritje e qëllimshme e institucioneve, përbën zgjatje të krizës, dëm për buxhetin e Republikës dhe rrezik për stabilitetin institucional e demokratik të vendit”, ka thënë Abdixhiku.

Lajme të ngjashme