Avokati i Aurona Pelajt: Fola në telefon me të, është n’shpi – s’e ka ndërmend me ikë - NACIONALE

Avokati i Aurona Pelajt: Fola në telefon me të, është n’shpi – s’e ka ndërmend me ikë

1 muaj më parë

nga Gentiana Hasani

Gjatë ditës së premte u raportua se Aurona Pelaj, e dyshuara për sulmin fizik ndaj gruas 70- vjeçare, Minire Nura, në shtëpinë e të moshuarve "Orenda", ka ikur për në Gjermani. Këtë informatë e ka dhënë pala mbrojtëse e të moshuarës, por ky lajm nuk po del të jetë i vërtetë. Të paktën, nga deklarata e avokatit të Aurona Pelajt konfirmohet për Nacionalen se ajo gjendet në Kosovë, saktësisht në familjen e saj.

Avokati i Pelajt, Veton Berisha, i tha Nacionales se avokati i 70-vjeçares ka dhënë deklaratë të pavërtetë për këtë punë, duke konfirmuar se Aurona gjendet në shtëpinë e saj.

"Jo, ajo gjendet në shtëpi të saj. Ajo normal është e lirë, mundet me shku gjithkah, por nuk ka ikë. Nuk e ka në mend me ikë, s'ka arsye me ikë. Është në shtëpi të sajën. Nuk qëndron deklarata e tij (e avokatit të 70-vjeçares), është e pavërtetë”- tha avokati për Nacionalen.

Ndërkohë ai sqaroi se pas deklaratës së kolegut të tij për arratisjen e mundshme të Pelajt, ai menjëherë e ka kontaktuar klienten e tij, Auronën.

“Pas deklaratës së avokatit, jam dëgjuar me Auronën, me familjarët e saj. Ajo është në shtëpi të saj”- tha ai.

Kur u pyet për gjendjen shëndetësore e emocionale të Pelajt, avokati thotë se ajo është e ndikuar emocionalisht nga ajo që ka ndodhur.

“Normal që nuk është mirë pas asaj që ka ndodhë”- tha për Nacionalen avokati i Aurona Pelajt.

Klientja e tij më 25 nëntor ishte liruar nga paraburgimi për t'u mbrojtur në liri.

Dy muaj pas lirimit të saj, Meshari Selimaj, avokat i Minire Nurës, gruas 70-vjeçare që shihet në videon e publikuar në medie duke u sulmuar nga disa persona - në mesin e tyre shihet edhe Aurona Pelaj - ka thënë se kjo e fundit besohet se ka lëshuar Kosovën.

Në një intervistë për "Euronews Albania" të premten, Selimaj theksoi se prokuroria ende nuk ka ngritur një aktakuzë ndaj saj.

“Me informacionet që kam, Aurona Pelaj mund të gjendet në Gjermani. Kështu po përflitet këto ditët e fundit. Prokuroria ende nuk i ka kryet hetimet. Prokuroria ende nuk e ka ngritur aktin akuzues në gjykatë dhe gjykata ende nuk e ka mundësinë që ta ftojë Pelajn. Duhet të paraqitet me thirrjet dhe nëse nuk paraqitet, merren masat për lëshimin e urdhër-arrestit”, tha avokati Selimaj sot.

Kujtojmë se Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur t’ua ndërpresë paraburgimin tri infermiereve të arrestuara në lidhje me sulmin fizik ndaj të moshuarës në një shtëpi kujdesi në Pejë në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar.

Kush është Aurona Pelaj?

Në nëntorin e vitit të kaluar, Kosova u trondit nga një video ku në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, "Orenda", një e moshuar, banore aty, u sulmua fizikisht nga disa infermiere. Në videon e publikuar në medie fillimisht, shihet infermierja Aurona Pelaj duke e goditur fizikisht e fyer verbalisht të moshuarën, 70-vjeçaren Minire Nura.

E menjëherë pas publikimit të videos, Pelaj, bashkë me tri kolege, u arrestua nga policia. Të njëjtave fillimisht iu shpall ndalimi policor e pastaj paraburgimi.

Infermieret u pezulluan në ditën e publikimit të videos edhe nga puna e tyre në qendrën e kujdesit për të moshuarit në Pejë, "Orenda".

Por qendra "Orenda", ku Aurona dyshohet se e rrahu 70-veçaren, u mbyll pak ditë pas publikimit të videos së tmerrshme në medie.

Më 4 nëntor të vitit të kaluar, Ministria e Financave e shfuqizoi licencën e shtëpisë së pleqve “Orenda” në Pejë tri ditë pasi ishte publikuar një video ku shiheshin disa infermiere duke ushtruar dhunë ndaj një plake.

“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale e ka bërë inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

“Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale”- thuhej në njoftim.

Lajme të ngjashme