Atiqi s’bëhet i gjallë tërë ditën, Vuçiq thotë se “hoqi dorë”: Ku mbeti “ultimatumi i dytë” i LVV-së për strukturat paralele? - NACIONALE

Atiqi s’bëhet i gjallë tërë ditën, Vuçiq thotë se “hoqi dorë”: Ku mbeti “ultimatumi i dytë” i LVV-së për strukturat paralele?

10 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

“Ultimatumi i dytë” i Erden Atiqit ndaj strukturave paralele në Mitrovicë të Veriut, s’duket gjëkundi në horizont të jetë përmbushur.

Para tri jave, u dha një javë kohë; pas asaj jave kohë u dha edhe dy javë kohë: por urdhëresat e formës së prerë të Atiqit, ranë në vesh të shurdhër.

Serbët, dolën të kenë “mësuar” një gjë nga bashkëpartiaku i Atiqit, Lulzim Hetemi, modelin e mbylljes “hermetike”. U ngunjuan brenda objektit gjatë natës.

Për objektin në “Mahallën e Boshnjakëve” që bie nën pronësi komunale, serbët lëre që s’i ofruan dokumentacionin e nevojshëm rreth bazës së shfrytëzimit, por edhe shpërfillën kërkesën për lirimin ultimativ të saj.

Atiq s’u bë hiç i gjallë gjatë tërë ditës; as s’e hap telefonin – as s’kthen përgjigje me shkrim.

Nacionalja ka provuar të komunikojë me të, por më kot.

Atiq, s'ndjen nevojën të shpjegohet për vendimarrjen e tij, e as pse vendimmarrja e tij s'është çuar në vend.

Këshilltari i tij, megjithatë, Visar Syla, krejt shkurt dhe pa ofruar as një hollësi se çka, si, e pse po ose jo, i ka thënë “Kosvapress”-it se ultimatumi qëndron.

Nuk ka shtyrje të afatit të fundit për lirim, i tha ai mediumit.

Por, vetëm kaq.

Policia e Kosovës, nën anën tjetër, thotë se nuk kanë marrë kurrëfarë kërkese nga autoritet për të asistuar në lirimin e objektit nga serbët refuzures dhe të ngunjuar në ndërtesë.

Mbase Atiqi dhe Syla po presin që ata të dalin të vet...pas vetëngunjimit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, doli me disa pretendime të tij, të cilat Nacionalja s’ka mundur t’i konfirmojë.

Tha se “Prishtina hoqi dorë” nga vendimi ultimativ për lirimin e kësja ndërtese që shfrytëzohet nga strukturat paralele serbe, si pasojë e presionit të aplikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Por, ai shtoi se, qeveria kosovare e Albin Kurtit, do të provojë sërish të njëtjën pas takimit të Nivelit të Lartë më 14 shtator.

Prishtina u përpoq t'i zbatonte qëllimet e saj me marifete, por përsëri u vunë nën presion nga BE-ja dhe SHBA-ja dhe u detyruan të dorëzoheshin", tha Vuçiq, siç e citoi KoSSeV.

Lista Serbe ditëve të fundit është shprehur se s’bëhet fjalë për lirim të objektit nga ku operohet me sistem paralel të Serbisë, e për më tepër nga ku operon edhe e ashtuquajtur “Zyrë për Kosovë dhe Metohi” që në qeverinë serbe udhëhiqet nga Petar Petkoviq.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë kundërshtuar këtë vendim të Atiqit, të cilit kaherë i është kërkuar “të mos ushtrojë funksione përtej administrative” dhe aq më pak jo të merr vendime që “mund të perceptohet si përshallëzuese”.

Por, Atiq, ndonëse sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të ishte “kryetar me ‘k’ të vogël”, ai dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, në letër së paku, do të synonin marrjen e vendimeve me “V të madhe”.

Zyrtarë amerikanë e kanë ritheksuar pritjen tonë që këta kryetarë, përfshirë atë të Mitrovicës së Veriut, do të bëjnë përpjekje për t’iu përgjigjur shqetësimeve të të gjitha banorëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve”, thanë nga ShBA në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Njëjtë u shprehën edhe nga BE, ku zëdhënësi Peter Stano, tha se qëndrimi i unionit 27 shtetësh është se janë “të shqetësuar për ndikimin që do ta kenë në situatën e sigurisë vendimet e fundit të administratës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave publike dhe komunale”.

BE kërkoi “bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në të gjitha vendimet që mund të kenë ndikim në situatën e brishtë të sigurisë” dhe se çështja e strukturave paralele duhet të adresohet në Dialogun e Brukselit dhe në kuadër të themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe”.

Rasti me këtë vendim nuk ka qenë i tillë. Çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe“ tha ai.

Është e rëndësishme që të organizohen sa më parë zgjedhje inkluzive lokale në të cilat serbët e Kosovës do të marrin pjesë pa parakushte”, u shpreh mes tjerash ai.

Lajme të ngjashme