Astrit Gashi: Vuçiqi po e tensionon veriun, Franca dhe Gjermania duhet ta tregojnë seriozitetin - NACIONALE

Astrit Gashi: Vuçiqi po e tensionon veriun, Franca dhe Gjermania duhet ta tregojnë seriozitetin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Analisti Astrit Gashi ka bërë me dije se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, po e dëshiron tensionimin e situatës në veri.

Ai ka thënë se kjo tregon që presidenti serb ose nuk është i gatshëm për marrëveshje finale ose po dëshiron të ndërhyjë në veri përmes strukturave paralele.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se tani Gjermania dhe Franca duhet ta tregojnë seriozitetin e tyre.

“Vucic po e tensionin veriun, sepse ose nuk eshte i gatshem per marreveshje ose po don te nderhyje ne te per te perfituar me shume. Gjermania dhe Franca, si bartese te procesit dhe autore teksti te marreveshjes, tash duhet te tregojne seriozitetin e tyre duke vepruar e mos lejuar ndryshime qe Vucic po don ti imponoj ne teren permes strukturave te tij ne Veri te Kosoves. Nese keto dy shtete aleate nuk veprojne, atehere Qeveria e Kosoves, duhet me kerku qe rolin bartes ne dialog ta mbaje Amerika. Me ta Qeveria e Kosoves duhet te shtoj dhe fuqizoj bashkepunimin ne fushen e sigurisë”- ka shkruar Gashi.

Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.

E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.

"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.

Ky takim, i thirrur nga Lista Serbi, vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.

Rakiq, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, me policët serbë që e kanë refuzuar zbatimin e tij.

Lajme të ngjashme