Aq më keq për faktet, Murati me dredhi për ‘monopolin’ e arkave fiskale dhe për kostot enorme - NACIONALE

Aq më keq për faktet, Murati me dredhi për ‘monopolin’ e arkave fiskale dhe për kostot enorme

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Oqean Dërmaku

Dje Gjykata Supreme ka shfuqizuar dhe e ka shpallur të pavlefshëm Udhëzimin Administrativ 01/2025, që Hekuran Murati e kishte nënshkruar në ditën kur kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit.

Udhëzimi Administrativ ishte për reformën e sistemit fiskal, praktikisht duke nisur procesin e digjitalizimit të arkave fiskale.

Menjëherë pas kësaj, ka reaguar Hekuran Murati, i cili përmes një postimi në Facebook, kishte sulmuar me emra e mbiemra gjyqtarët e Supremes që kishin amrrë vendim për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ.

Por, në pjesën e parë të postimit të tij, Murati kishte deklaruar se “monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë Ministër i Financave, parashihej të merrte fund me Udhëzimin e Ri Administrativ, i cili hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, siç tashmë kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon”.

Në këtë pjesë, Murati iu tha fakteve: aq më keq për juve.

Kjo për shkak se, që nga fillimi i fiskalizimit në Republikën e Kosovës kanë operuar rreth tetë operatorë ekonomik, gjë që tregon që ky treg s’ka fare monopol, por është treg i lirë ku operojnë disa biznese.

Rrjedhimisht, bizneset edhe sot në Kosovë mund të zgjedhin tek cili operator ekonomik dëshirojnë të pajisen me arkë fiskale, pasi që në këtë treg operojnë disa operatorë ekonomik.

Sipas asaj që Gazeta Nacionale ka kuptuar, në vitin 2024 janë licencuar edhe dy operatorë të rinjë ekonomik për pajisje të arkave fiskale, por që deri më tani nuk janë futur në treg pasi që digjitalizimi i arkave fiskale ishte paralajmëruar nga Hekuran Murati qysh në vitin 2024.

Sa i përket kostos enorme të pajisjeve të arkave fiskale, me një kërkim të shpejtë në rrjete sociale, bizneset sot mund të gjejnë arka fiskale nga disa operatorë ekonomik në Kosovë me çmime që fillojnë nga 250 euro. Praktikisht, pajisjet për arka fiskale nuk kanë qenë asnjëherë më lirë në Kosovë.

Gazeta Nacionale ka disa javë që ka nisur pyetje në Ministrinë e Financave rreth Udhëzimit Administrativ për digjitalizimin e arkave fiskale, por që ende nuk ka marrë përgjigje.

Të njëjtit, janë ftuar që të japin sqarime për bizneset rreth këtij procesi, i cili nuk ka qenë fare transparent deri më tani për opinionin dhe aktualisht bizneset e reja nuk dinë ende si të veprojnë, të blejnë apo jo arka fiskale!

Nacionale ka kërkuar vazhdimisht sqarime rreth këtij procesi të reformave, pasi që ka pasur dyshime për krijim të monopolit për disa individë përmes digjitalizimit të arkave fiskale, temë kjo për të cilën do të raportojmë më detajisht gjatë javëve në vijim.

Kujtojmë se shtetet në rajon që kanë bërë digjitalizimin e arkave fiskale, të cilave u referohet Hekuran Murati, e kanë realizuar këtë reformë brenda 1-2 viteve, duke përfshirë të gjitha palët me interes në këtë proces, ndërsa në Kosovë ky proces është kritikuar që nga fillimi për mungesë të transparencës.

Lajme të ngjashme