Ambasadori itlian për veriun: Sikur të kishte pasur njerëz më racional në vendime, s’kishim ardhur në këtë pikë
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, ka dhënë disa qëndrime për situatën në Kosovë gjatë një vizite në Radio Televizionin e Kosovës (RTK),
Në intervistën e tij, z. De Riu ka theksuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë të përkohshme, pasi Qeveria e Kosovës nuk i ka përmbushur angazhimin e saj.
“Këto masa janë bërë në mënyrë që ti nxisin të dy qeveritë që ti përmbyshin angazhimet e tyre. Angazhimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë që ta paraqes sa më shpejt një statut të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe gjë që nuk është bërë nga Qeveria e Kosovës. Në atë moment kur Kosova të përmbush angazhimin e saj dhe ta prezantojë një statut për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Serbia nëse nuk i përmbush angazhimet e saj të cilat i ka marrë përsipër, atëherë masat analoge do të merren edhe për Serbinë në të njëjtën mënyrë nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ambasadori Italian, Antonello De Riu.
Sipas ambasadorit italian, nëse do të kishte pasur njerëz më konkret e racional, nuk do të kishte ardhur situate në këtë pikë.
“Dialogu Kosovë-Serbi është ajo paradigmë çka ndodh në Ballkan. Ndonjëherë bëhen çështje parimore disa çështje që nuk janë të rëndësishme për jetën e njerëzve që jetojnë në këto vende. Nëse kishte pasur njerëz që janë më konkret, më racional në vendimet e tyre, nuk kishim ardhur në këtë pikë, dhe çështjet do të ishin zgjidhur shumë më shpejt. Kur flas për pragmatizëm nuk e kam fjalën për mosrespektimin e kushtetutshmërisë së një vendi, por flasim për vendime politike nga të cilat do të kishin përfitime vetëm popullsia që jetojnë këtu. Të gjitha ligjet e një vendi duhet të respektohen, por duhet të merren vendime politike për disa çështje që nuk janë aq shumë parimore sa po duken, dhe nga këto ecim tutje dhe përfiton popullata”, ka thënë ambasadori Italian, Antonello De Riu.