“Alo, mirëdita”: Kurti tallej me Prokurorinë pse s’po i ftonte atë dhe Konjufcën, dje iu ftua ministrja
Ishte korriku i vitit 2019. Albin Kurti, atëherë opozitar i zëshëm, kishte vendosur që në llogarinë e tij në “Facebook” të shkruante një bisedë imagjinare, shpotitëse ndaj Prokurorisë së Shtetit. Ai tallej pse Prokuroria nuk po i ftonte atë dhe Glauk Konjufcën për një kallëzim penal që e kishin dorëzuar. Sidoqoftë, pesë vjet më vonë, Kurtit tashmë kryeministër iu plotësua “dëshira” tërthorazi. Prokuroria ftoi një ministre të tij – kësaj radhe jo në imagjinatë.
- Alo, mirëdita.
- Mirëdita.
- Unë jam Zana nga Prokuroria e Shtetit të Kosovës. Po flas me deputetin e Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konjufca?
- Po, unë jam.
- Prokurori i Shtetit ju kërkon të vini për një bisedë lidhur me Kallëzimin Penal që keni bërë me datë 25 prill 2019, në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Na vjen keq që nuk ju kemi thirrur më herët, por a mund të vini nesër, të premten, në ora 10:00?
- Ka tre muaj që pres këtë thirrje. Sigurisht që do të vij. Bëhet fjalë për Kallëzimin tonë Penal ndaj Presidentit dhe Kryeparlamentarit, që kanë gënjyer dhe shpifur nën betim në gjykimin kundër të ashtuquajturit "Syri i Popullit", apo jo?
- Po, ashtu keni thënë në Kallëzim Penal.
- Aty do të jem. Ju falemnderit. A e keni ftuar edhe Albin Kurtin?
- Po, porsa mbarova bisedën me të. Edhe ai do të vijë.
- Shumë mirë. Atëherë mirupafshim nesër.
- Mirupafshim. Ju falemnderit z. Konjufca.
* * *
Thjesht dhe qartë. Vetëm sikur të ishte edhe e vërtetë.
Kështu kishte shkruar Kurti më 25 korrik të vitit 2019 në “Facebook”, duke marrë 8 mijë e 300 pëlqime.
Të martën ndodhi diçka që s’ishte aspak imagjinare. Mediat raportuan me fotografi e video. Në dyert e Prokurorisë Speciale po hynte ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Zyra për Informim e Prokurorisë bëri të ditur se Rizvanolli po intervistohej si një dëshmitare për një rast që janë duke e trajtuar.
“Prokuroria Speciale informon se sot, ministrja Artane Rizvanolli, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim” - thuhet në njoftim.
Burimet i kanë thënë Nacionales se intervistimi po bëhej për rastin e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Nacionale javë më parë kishte publikuar biseda të Dejona Mihalit me ish-kryeshefin e KEK-ut./Nacionale