Alarmi i rrejshëm për bombë “me foto të Mlladiqit”, Sveçla kërkon “mbështetje ndërkombëtare” për kapjen e kërcënuesit
Pronari i numrit nga ku erdhi kërcënimi me bombë ndaj Kuvendi të Kosovës është përcaktuar ndërsa profilet e tij u tha të kenë pasur fotografi të Ratko Mlladiqit.
Ky i fundit qe 14 vjet në Hagë i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid ndaj popullatës boshnjake – më së theksueshmi për gjenocidin e Srebrenicës.
Sveçla e dha lajmin se pronari i numrit është një shtetas serb me emrin Lazar Zhizhkoviq, me numër të kompanisë serbe telefonike MTS, njoftoi deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla.
“Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladiq”, tha Xhelal Sveçla. Deputeti nuk e qartësoi se fotografia a ka të bëjë me ndonjë nacionalist serb glorifikues të figurës së Mlladiqit, apo të lidhur me Mlladiqin si person në vetën e parë.
Për më tepër, Xhelal Sveçla tha se do të kërkojë “mbështetje ndërkombëtare” për të kapur kërcënuesin e djeshëm ndaj Kuvendit të Kosovës.
“Institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur. Sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë”, tha ai.
Çka thanë autoritetet?
Policia e Kosovës e ka konfirmuar kërcënimin me bombë në Kuvendit e Kosovës.
Përmes një reagimi, policia ka treguar se kërcënimi ka ardhur në orët e mëngjesit përmes një mesazhi telefonik.
Me të marrë lajmin, policia ka treguar se i ka marrë të gjitha veprimet e mundshme.
“Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Më tej, policia ka treguar në lidhje me rastin ka njoftuar edhe prokurorinë.
“Policia e Kosovës ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt”, është thënë në njoftimin e Policisë.
Deputetët e shqetësuar pas evakuimit
Pas marres së njoftimit për kërcenim, policia menjëherë ka evakuuar deputetët nga salla e Kuvendit, të cilët ishin mbledhur për të bërë përpjekën e 42-të për konstituimin e Kuvendit.
Derisa largoheshin nga ndërtesa, deputetët kanë shprehur shqetësimin e tyre.
“Policia për shkak të masave të sigurisë duhet të evakohet stafi. Kanë një kërcenim, por me tutje jep policia sqarime. Krejt çka na kërkuan është me e liru ndërtesën e Kuvendit”, ka thënë deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
Kërcënimi është komentuar edhe nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se Kuvendit ka një sistem të brishtë të sigurisë dhe gjithçka mund të ndodhë.
Ajo ka treguar se kjo nuk është hera e parë që Kuvendit tentohet të sulmohet.
“Aq sa morët ju informacion, mora edhe unë. Na thane dilni se ka diçka dhe dolëm. Duke e njoftë saktë sistemin e sigurisë në Kuvend për të cilin unë e kam ngritur shqetësimin shumë herë, jo vetëm në këtë mandat, gjithçka mund të ndodh. Nuk është hera e parë që Kuvendi sulmohet, ju e dini që është sulmuar me zollë. Prandaj gjithçka mund të këtë”, ka thënë Musliu.
Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, është shprehur e shqetësuar.
Ajo ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të zbardh rastin.
“Është në dorën e policisë me zbulu rastin edhe nga ka ardhur ajo telefonatë. Sepse nëse angazhohen, do të gjejnë se kush ka bërë këtë informatë,” ka thënë Kadrijaj.
Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka dhënë më shumë detaje.
“Duhet autoritetet kompetente me vlerësu, sidomos ato të sigurisë, kërcënimi ka qenë i qartë, policia po mendon ashtu. Të gjitha grupet parlamentare po i binden këtij vendimi. Me sa e di unë vetëm përmes telefonatës, të tjerat nuk i kemi të qarta”, ka thënë ai.